Kalaja e Himarës: Qyteti i fortifikuar përgjatë bregdetit Jonian

Pa frikë Himarën mund ta konsiderojmë princeshën e bukurisë shqiptare. Me një pamje piktoreske me detin e kristaltë në perëndim, e malin në lindje, krijojnë një formë amfiteatri duke na dhuruar një panoramë mahnitëse që të mbetet gjatë në memorie. Rajoni i Himarës, është foleza e një numri të konsiderueshëm të atraksioneve turistike dhe kulturore, të cilat të joshin për ta vizituar.

Himara e vjetër është e ndërtuar mbi kodër rreth një kilometër larg bregut Jon dhe rrethohet nga kanionet e dy përrenjëve. Qendra historike e Himarës ose siç njihet ndryshe kalaja e Himarës, është ndërtuar mbi kodrën e Barbakasë dhe konsiderohet si një nga monumentet më të rëndësishme për shkak të historisë dhe vlerave që mbart. Si një nga perlat e vërteta të qytetit antik, ajo ngrihet mbi një kodër 240 m e lart dhe mund të themi me plot bindje që është simboli i prezencës së pandërprerë të njerëzimit. Në veri ajo ka malet Akrokeraune (Vetëtimës), në lindje dallohet fshati Pilur me kurorën e dendur të lisave dhe pjesa jugore do ju mahnisë me panoramën e plazhit të Livadhit.