Nëse jeni të apasionuar pas historisë, kulturës, traditës apo edhe monumenteve kulturore, sugjerimi i kësaj here është për të vizituar një nga kalatë më interesante që ndodhen në rrethin e Tiranës. Bëhet fjalë për Kalanë e Prezës e cila mbart në vetvete vlera të larta kuturore, historike e monumentale.
E ndodhur 22 km larg Tiranës, Kalaja e Prezës është ndërtuar mbi majën e një kodre . Përvec vlerave historike, nga Kalaja e Prezës të ofrohet një pamje e mrekullueshme e fushave të Tiranës.
Kalaja është afër Aeroportit Ndërkombëtar Nënë Tereza. Eshtë një kala e vogël, por më e madhe se Kalaja e Petrelës.
Ajo është ndërtuar në fillim të shekullit XV nga Topiajt, familja që zotëronte zonën, dhe ka pasur si funksion ruajtjen e rrugës së rëndësishme tregtare që lidhte Durrësin, me Krujën dhe Shkodrën.
Kalaja ka formën e një pesë-këndëshi të çrregullt, me 4 kulla të rrumbullakëta nëpër qoshe dhe me 1 kullë drejtkëndëshe pranë mesit të njërit prej mureve, e cila ka shërbyer edhe si portë. Me mure që arrijnë deri në 6,40 m lartësi, Kalaja ka një gjatësi prej 80 m dhe një gjërësi prej 50 m. Fakti që në oborrin e saj është ndërtuar vetëm një sterrë e madhe tregon që kështjella ka qenë më së shumti një fortifikim ushtarak e nuk është banuar. Pas pushtimit otoman të Shqipërisë, kalaja u riparua dhe mbi portën hyrëse u ndërtua një xhami. Më vonë, me shumë gjasa në shekullin XX, mbi muret e kalasë u ndërtua edhe një kullë sahati.
Kjo kala është deklaruar Monument Kulture i mbrojtur nga shteti. Një restorant me kuzhine tradicionale dhe disa shërbime të tjera ofrohen brenda kalasë si dhe një shesh i madh i gjelbër ku mund të luani ose të bëni piknik.
Por, ajo që është magjike në këtë kala është perëndimi i diellit ku mund të shkrepni foto fantastike dhe këtë jua thotë një person i apasionuar pas fotografisë dhe udhëtimeve.