Kalaja e Rozafës, destinacion i mbi 24 mijë vizitorëve

Kalaja e Rozafës në Shkodër, një vend atraktiv ku historia, arkitektura, peizazhi fantastik ndërthuren në mënyrë të përkryer, po mahnit gjithnjë e më shumë turistët e huaj dhe ata vendas.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Shkodër ka ndarë shifrat në rritje të numrit të turistëve për periudhën janar-korrik të këtij viti, duke i krahasuar ato me një vit më parë.

“Numri i vizitorëve ka shënuar rritje ku sipas shifrave të bëra publike nga 1 janar 2021 deri në 31 korrik 2021 ka pasur 24 131 vizitorë ndryshe nga një vit më parë ku shifrat flasin për 12 987 vizitorë, pra ka pasur një rritje prej 86% të numrit të vizitorëve”, bën të ditur DRKK Shkodër.

Sipas DRKK, falë biletave të shitura për periudhën janar-korrik 2021 janë mbledhur 5 113 500 lekë ndryshe nga një vit më parë ku shifrat flasin vetëm për 1 764 610 lekë.Rikualifikimi i kalasë së Rozafatit përmes ndriçimit, një investim i Ministrisë së Kulturës e ka kthyer atë në një atraksion turistik, të vizitueshëm për turistët vendas dhe të huaj edhe në mbrëmje.

Kalaja e Rozafës është monumenti historik më antik. Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatlinjve (shek. XVIII-XIX). E ndërtuar gjatë mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të Besës legjendare.