Kanioni i Holtës, një nga bukuritë natyrore të Gramshit vijon të jetë pika më e frekuentuar e zonës. Janë të shumtë turistët vendas apo të huaj që zgjedhin të kalojnë disa orë mes maleve dhe ujit të akullt që të ofron Kanioni i Holtës.
Kanioni ka një gjatësi rreth 3 km. Vizitorët befasohen dhe mahniten me ngjyrën karakteristike të ujit, shpatet e thepisura 100 – 150 metra, flora dhe fauna që shtrihet përreth.
Lumi vende-vende arrin thellësinë deri në 3 metra. Të veçantë kanionin e bëjnë burimet e shumta termale, me ngjyrë të kaltër. Shpellat e shumta karakteristike nga dy anët e këtyre shpateve mbuluar dhe me zona pyjore me drunj pishe panje e bredhi, e bëjnë akoma më atraktiv këtë kanion.
Ajo çfarë natyra servir në këtë zonë i mrekullon vizitorët, por njëherazi janë të mendimit se ka nevojë për më shumë infrastukturë. Gramshi është konsideruar vitet e fundit si një nga befasitë turistike në mbarë vendin për shkak të kanioneve, shpellave, ujëvarave, liqeneve, pyjeve etj.