Karakaçi: Shqipëria përmbush para afatit objektivin për mbi 600 MW energji të rinovueshme


Shqipëria ka arritur përpara afatit objektivin për mbi 600 MW kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se ky rezultat është një nga arritjet kryesore të reformave që po zbatohen në sektorin energjetik.

Në një videomesazh të publikuar në rrjetet sociale, Karakaçi tha se reformat po sjellin rezultate konkrete dhe se puna e bërë gjatë këtij viti ka synuar modernizimin e kuadrit ligjor, përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian, zhvillimin e burimeve të rinovueshme, uljen e varfërisë energjetike dhe krijimin e komuniteteve të energjisë.

Sipas ministrit, gjatë këtij viti janë ndërmarrë një sërë masash për modernizimin e legjislacionit dhe përafrimin e tij me standardet evropiane. Mes tyre është edhe ngritja e sistemit të garancive të origjinës për energjinë e rinovueshme, i cili u mundëson konsumatorëve të kenë më shumë transparencë mbi burimin e energjisë që përdorin.

Një tjetër masë është miratimi i rregullave të reja për etiketimin e produkteve që ndikojnë në konsumin e energjisë. Këto rregulla synojnë t’u mundësojnë qytetarëve të bëjnë zgjedhje më të informuara dhe më efiçente, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Karakaçi veçoi gjithashtu si një prej hapave më të rëndësishëm miratimin e Ligjit të ri për Sektorin e Energjisë Elektrike. Sipas tij, ligji forcon funksionimin e tregut të energjisë, rrit sigurinë e furnizimit dhe e afron Shqipërinë me tregun evropian të energjisë.

Në kuadër të reformave janë harmonizuar edhe rregullat për biokarburantet, janë thjeshtuar procedurat për investimet në energjinë e rinovueshme dhe është avancuar zbatimi i paketës për integrimin e tregut shqiptar të energjisë me atë të Bashkimit Evropian.

Një tjetër arritje e përmendur nga ministri është miratimi i Planit Kombëtar për adresimin e varfërisë energjetike, si dhe i kuadrit ligjor për komunitetet e energjisë. Ky i fundit, sipas Karakaçit, përbën një masë të shumëpritur nga vetëprodhuesit e energjisë.

“Këto masa krijojnë më shumë mundësi për qytetarët, bizneset dhe pushtetin vendor që të jenë pjesë aktive e tranzicionit energjetik”, deklaroi Karakaçi.

Ministri nënvizoi se arritja para afatit e objektivit për mbi 600 MW kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme forcon bazën për një sektor energjetik më të diversifikuar dhe më të qëndrueshëm.

Sipas tij, rezultatet e arritura krijojnë gjithashtu kushtet për disbursimin e 61 milionë eurove në kuadër të Growth Plan dhe Reform Agenda. Fondet pritet të mbështesin investimet, zhvillimin ekonomik dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Karakaçi theksoi se puna në sektorin energjetik do të vijojë me të njëjtin angazhim, me fokus forcimin e sektorit dhe përafrimin e mëtejshëm të Shqipërisë me standardet dhe tregun e Bashkimit Evropian.

“Puna jonë vijon me të njëjtin angazhim për një sektor energjetik më të fortë dhe një Shqipëri më pranë Bashkimit Evropian”, u shpreh ministri.



Burimi Monitor.al