Çmimet e karburanteve në Shqipëri kanë pësuar një tjetër rritje në fund të muajit, duke shtuar kostot për drejtuesit e automjeteve dhe bizneset. Nafta po tregtohet deri në 214 lekë për litër, ndërsa benzina ka arritur në 199 lekë për litër, si pasojë e shtrenjtimit të naftës në tregjet ndërkombëtare.
Rritja lidhet me tensionet në Lindjen e Mesme, të cilat kanë çuar çmimin e naftës Brent në rreth 90 dollarë për fuçi. Kjo situatë është reflektuar edhe në bursën Platts të Mesdheut, referenca kryesore për importet e karburanteve në Shqipëri. Sipas të dhënave të tregut, nafta u importua me 1,311 dollarë për ton më 27 korrik, ndërsa vetëm pak ditë më vonë, më 30 korrik, çmimi i zhdoganimit u rrit në 1,393 dollarë për ton.
Rritja e fundit ka sjellë një shtrenjtim prej 8 lekësh për litër të naftës dhe 10 lekësh për litër të benzinës, duke rënduar buxhetin e qytetarëve, veçanërisht në kulmin e sezonit turistik, kur përdorimi i automjeteve është më i lartë.
Pavarësisht rritjes së vazhdueshme të çmimeve, deri më tani nuk ka asnjë sinjal nga Këshilli i Ministrave për rikthimin e Bordit të Transparencës, mekanizëm që më parë vendoste çmimet tavan të karburanteve. Ndërkohë, shoqatat e transportit kanë shprehur shqetësimin për kostot në rritje dhe kanë kërkuar masa mbështetëse, përfshirë subvencionimin e sektorit.
Ndryshe nga Shqipëria, disa vende të rajonit kanë ndërhyrë për të zbutur ndikimin e shtrenjtimit te konsumatorët. Serbia ka rikthyer kufizimet për çmimet e karburanteve, ndërsa Mali i Zi ka ulur përkohësisht akcizën, duke e mbajtur çmimin e naftës në rreth 1.65 euro për litër.
Ekspertët vlerësojnë se, për sa kohë tensionet gjeopolitike vijojnë të ushtrojnë presion mbi tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe barra fiskale mbi karburantet mbetet e pandryshuar, konsumatorët shqiptarë mund të përballen me rritje të tjera të çmimeve edhe në javët në vijim.










