Katër firma kineze të teknologjisë, përfshirë gjigantin Baidu Inc dhe SenseTime Group, prezantuan chatbot e tyre të inteligjencës artificiale për publikun, pasi morën miratimin qeveritar, me Qeverinë e Kinës që po bën përpjekje për ta rritur përdorimin e produkteve të tilla në garë kundër Shteteve të Bashkuara.
Baidu tha në një komunikatë për media se chatbot i saj i tipit ChatGPT, Ernie Bot, është tani plotësisht i qasshëm për publikun. Një zëdhënës i SenseTime tha për agjencinë e lajmeve Reuters se chatbot-i i tyre, SenseChat, është tani plotësisht i qasshëm për përdoruesit e tij. Po ashtu, dy kompani të tjera të inteligjencës artificiale, Baichuan dhe Zhipu AI, njoftuan për prezantimin e chatbot të ngjashme së shpejti.
Si pasojë, asionet e Baidu dhe SenseTime shënuan rritje në tregun e Hong Kongut, për 3.1% dhe 2.7%, përkatësisht. Për dallim nga vendet e tjera, Kina u kërkon kompanive të dorëzojnë vlerësime të sigurisë dhe të marrin leje para se t’i prezantojnë në treg produktet e inteligjencës artificiale.
Autoritetet kineze i kanë rritur përpjekjet për t’i përkrahur kompanitë që zhvillojnë inteligjencë artificiale, pasi teknologjia është në qendër të garës së tyre me Shtetet e Bashkuara. Mediat kineze raportuan se gjithsej 11 firma kishin kërkuar leje nga Qeveria, përfshirë pronarin e TikTok, ByteDance and Tencent Holdings.
Prodhuesi i ChatGPT, OpenAI, i cili mbështetet nga Microsoft, është në rrugë të mirë për t’i gjeneruar më shumë se 1 miliard dollarë të hyra në 12 muajt e ardhshëm. Aprovimi i qeverisë kineze pritej të ndodhte, pasi Kina i publikoi rregullat për produktet e inteligjencës artificiale për publikun, të cilat u hynë në fuqi më 15 gusht.
Më parë, kompanive u lejohej të kryenin vetëm testime të vogla publike për produktet e inteligjencës, por me rregullat e reja, kompanitë i kanë rritur testimet e produkteve të tyre të inteligjencës.