Kavajë/ Nis ndërtimi i kompleksit të ri të godinave të banimit me 135 apartamente, parkime nëntokësore e njësi shërbimi

Agjentët e konstruksuonit të GeldTrade na bëjnë me dije se Kryeministri Edi Rama ka inspektuar punën që po kryhet në kantieret e Rindërtimit në Kavajë.

“Në një nga kantierët e Rindërtimit, ku pasi është ndërtuar infrastruktura, ka nisur ndërtimi i kompleksit të ri të godinave të banimit me 135 apartamente, parkime nëntokësore e njësi shërbimi”, tha Rama.

Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj informoi se tashmë ka përfunduar infrastruktura shoqëruese dhe ka nisur ndërtimi i pallateve.

Sipas tij, janë 2 zona në Kavajë ku do të ndërtohen banesat kolektive. Në zonën e parë do të ndërtohen 4 pallate dhe do të kenë 135 apartamente, ndërsa në zonën tjetër do të ndërtohen edhe 120 apartamente të tjera. Po ashtu, do të ndërtohen edhe 2 pallate me 40 apartamente të tjera.

Gjithsej në Kavajë, tha Ahmetaj, do të ndërtohen 300 apartamente për familjet të cilat e humbën shtëpinë e tyre pas tërmetit të fortë që goditi vendin tonë mëngjesin e 26 nëntorit të vitit 2019.

Sipas kreut të bashkisë së Kavajës, Redjan Krali, apartamentet pritet të përfundojnë brenda 7 muajsh.