Këshilli i Investimeve: Biznesi pro rritjes së pagave

 Këshilli i Investimeve zhvilloi të martën mbledhjen e radhës nën drejtimin e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, me temë diskutimi “Nga Pagat e Ulëta tek Produktiviteti në Punë”.

Kjo mbledhje jashtë kalendarit të tematikave të përcaktuara më parë nga Këshilli i Investimeve u zhvillua në kuadër të dialogut që qeveria ka nisur të zhvillojë me sipërmarrjen lidhur me nevojën e rritjes së pagave.

Këshilli i Investimeve ka zhvilluar një anketim ku janë përgjigjur 506 biznese në vend, lidhur me ndikimin e rritjes së pagave të ulëta në produktivitet dhe konkurrencën në treg.

Ministrja Ibrahimaj, njëherësh Kryetare e Këshillit, theksoi faktin se rezultatet e anketimit dëshmojnë se biznesi mbështet rritjen e pagës minimale dhe mesatare në vend, duke qenë se rreth 50 % e bizneseve të anketuara mendojnë se rritja e pagës minimale ka qenë e nevojshme dhe mbështesin rritjen e mëtejshme të pagës minimale, kryesisht në shërbime, tregti dhe turizëm.

“Qeveria ka ndërmarrë disa masa me qëllim adresimin e rritjes së pagës mesatare në vend. Besojmë se politika që kemi ndërmarrë për rritjen e pagës në sektorin publik do të ketë ndikim në rritjen e pagës mesatare në të gjithë sektorin privat. Kjo është arsyeja pse vendosëm të kemi një mbledhje të Këshillit të Investimeve, me qëllim që propozimet apo synimet tona t’i adresojmë bashkërisht, duke qenë se rritja e pagës mesatare në sektorin privat prek biznesin në përgjithësi dhe në asnjë rast ne nuk do të donim që të bënim veprime të nxituara të cilat do të shkaktonin rritje të papërballueshme të kostove tuaja të prodhimit. Rezultatet e vrojtimit konfirmojnë bindjen që ne kishim, nisur dhe nga takimet që kemi bërë me ju, që paga minimale duhet rritur dhe paga mesatare në vend duhet rritur”, u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja theksoi faktin se politika e rishikimit dhe rritjes së pagave të administratës publike është ndërmarrë në kontekstin e krijimit të një qëndrueshmërie në të ardhmen, në mënyrë që rritja e pagave të mos jetë e pa planifikuar apo e pamenduar mirë, por një proces në vijimësi.

“Ne kemi anonçuar që me rritjen e pagës minimale këtë vit se rritja do të vazhdojë edhe për vitin 2024 dhe 2025 dhe ne synojmë që në vitin 2025 të arrijmë në nivelin 45 mijë lekë, i cili, nga ana analizat që kemi bërë bazuar në shifrat që kemi, është një nivel i përballueshëm e që gjithsesi e lë Shqipërinë në nivele konkurruese përsa i përket kostos së prodhimit, sigurisht në sektorët që kanë më shumë kosto punën se sa vendet e tjera të rajonit. Pra, tashmë e kemi anonçuar se si do të ecim me politikën e pagave dhe nuk do të jetë më një politikë që do të anonçohet çdo vit në muajin janar apo shkurt, por kemi qartësi të paktën për 3 vitet në vijim dhe më tutje do të mendojmë dhe për vitet e ardhshme”, tha Ibrahimaj.

Paralelisht me rritjen e pagave në sektorin privat, tha Ibrahimaj, është e rëndësishme që bizneset, sidomos ato të mëdha, të kenë në fokus të tyre edhe krijimin e një politikë të rritjes dhe kualifikimit të burimeve njerëzore. Sipas saj, “Paralelisht me rritjen e pagave duhet menduar i gjithë procesi i punës i edukimit të punonjësve, qoftë për formalizimin, pse duhet ai dhe çfarë përfitimesh ka. Duhet të ketë një trajektore të qartë të ofertës së punës që ato kanë në kompani, pasi ka ardhur momenti që të ketë një politikë të burimeve njerëzore dhe të rritjes së tyre”.

Nga ana tjetër, Ministrja informoi se qeveria është duke diskutuar që të përcaktojë me ligj indeksimin e pagave për administratën publike.

Pas fjalës së Ministres Ibrahimaj, mbledhja e Këshillit të Investimeve vijoi me prezantimin e detajuar Sekretariati i KI të vrojtimit “Nga pagat e ulëta tek produktiviteti në punë”. Më pas, diskutimi u fokusua në ndikimin e rritjes së pagave minimale në produktivitet, motivimin e punonjësve, konkurrencën në treg dhe perspektiva e rritjes së mëtejshme të pagave në sektorin privat.