Viti 2022 shënoi dhe nivelin më të lartë të inflacionit, që nga 1998-a, me 6.2% mesatarisht, që kulmoi në tetor në 8.3%, një reflektim i pasojave globale të sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës. Të ndihmuara nga çmimet e larta, pjesa më e madhe e bizneseve të mëdha në vend raportuan rritje dyshifrore të qarkullimit vjetor.
Por, kjo rritje, më shumë se një ndihmë ishte një telash për shumë kompani, që u përballën në kahun tjetër me shtim të kostove, apo me një reagim të konsumatorëve, që ulën blerjet dhe u fokusuan në mallrat e domosdoshme.
Rritja ishte e shpejtë për të gjithë sektorët në vitin 2022, e udhëhequr nga tregtimi i karburanteve dhe energjisë, të dyja të ndikuara nga shtrenjtimi i fortë i çmimeve përkatëse. “Kastrati Group” është pikërisht kompania që kryeson listën e biznesve më tëë mëdha në vend.
Shoqëria raportoi 93.2 miliardë lekë qarkullim vjetor, me rritje të fortë prej 50.7%, në vitin 2022, duke u bërë e para që i afrohet një kufiri prej gati 100 miliardë lekësh (rreth 1 miliard euro).
“Kastrati Group”
Kompania më e madhe e importit dhe tregtimit të naftës me shumicë, “Kastrati Group”. Shoqëria raportoi 93.2 miliardë lekë qarkullim vjetor, me rritje të fortë prej 50.7%, në vitin 2022, duke u bërë e para që i afrohet një kufiri prej gati 100 miliardë lekësh (rreth 1 miliard euro).
Por, ky zgjerim ka ardhur si rrjedhojë e shtrenjtimit të çmimeve të naftës në bursat ndërkombëtare, nga mesatarisht 170-180 lekë në 2021, në 220-230 lekë në vitin 2022 (çmimi i tregtimit me pakicë).
Vitet e fundit, grupi “Kastrati” është diversifikuar edhe në ndërtim e hoteleri, si dhe me një seri projektesh në infrastrukturë (port, aeroport dhe autostrada).
“OSHEE Group”
Nga viti 2020, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), kompania më e madhe në vend, në pronësi publike, u shndërrua në Korporatën e parë Publike Shqiptare, duke pasur në pronësi tri shoqëri, Furnizuesin e Shërbimit Universal, Furnizuesin e Tregut të Lirë dhe Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH).
Të tria kompanitë kanë filluar të operojnë si të veçanta nga 1 janari 2020, pas ndarjes së funksioneve.
Të tria shoqëritë figurojnë në listën e 10 më të mëdhave sipas qarkullimit vjetor, por xhiro e tyre është e dubluar, për shkak të veprimeve me njëra-tjetrën.
Sipas të dhënave zyrtare të “OSHEE Group”, qarkullimi vjetor i të tria kompanive, duke netuar vlerat e të ardhurave nga aktiviteti i shoqërive brenda grupit ishte 73.3 miliardë lekë në vitin 2022, duke u renditur në sipërmarrjen e dytë më të madhe në vend, me rritje 14% në raport me vitin e mëparshëm.
Administratori i OSHEE Group, zoti Enea Karakaçi, pohon se “të dhënat e deritanishme flasin për një performancë pozitive, të paktën në treguesit bazë, siç janë niveli i arkëtimeve dhe reduktimi i humbjeve. Janë këto zëra që matin punën tonë, pa anashkaluar indikatorët e tjerë si ata të cilësisë e furnizimit me energji elektrike apo të faturimit të energjisë.
Humbjet kanë vijuar trendin rënës, duke zbritur në 19%, kjo falë mirëorganizimit të grupeve në terren, luftës pa kompromis kundër abuzuesve të energjisë elektrike, duke sjellë, nga ana tjetër, rritje të faturimit”.
Z.Karakaçi shton se edhe 2023 ka pasur ecuri pozitive. OSHEE Grup parashikon të mbyllë vitin financiar 2023 me një fitim mbi 2.5 miliardë lekë.
Ndikim kanë dhënë disa faktorë, veç uljes së humbjeve apo arkëtimeve në rritje, por edhe zëra si: ulja e “shpenzimeve operative” me 20%, reduktimi i shpenzimeve për blerje energjie, etj.
GSA
Të ardhurat e kompanisë u rritën me 126%, duke arritur në gati 50 miliardë lekë në vitin 2022, sipas të dhënave nga Tatimet, teksa kompania nuk e ka dorëzuar ende bilancin e vitit 2022.
Sipas raportit të aktivitetit të vitit 2021, shoqëria është e fokusuar në tregtimin e energjisë elektrike, që sjell pjesën më të madhe të të ardhurave, si dhe në shitjen e ferrokromit.
Rritja e lartë e vitit 2022 është ndikuar nga shtrenjtimi i çmimeve të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare.
“Kurum International”
“Kurum International”, me aktivitet në prodhimin, tregtimin e çeliqeve të ndërtimit e profileve të tjera të hekurit dhe energji vijoi rritjen në vitin 2022, e ndikuar nga koniunktura e favorshme e çmimeve ndërkombëtare, duke u renditur e katërta, një pozicion më poshtë se vitin e kaluar.
Në vitin 2022, qarkullimi vjetor arriti në 46.2 miliardë lekë, me zgjerim 10.5%, i ndihmuar si nga rikuperimi i fortë i kërkesës, edhe nga rritja e çmimeve të metaleve në tregjet ndërkombëtare, por edhe nga shtrenjtimi i energjisë elektrike.
Sipas raportit të aktivitetit, shoqëria, gjatë vitit 2022 ka vijuar aktivitetin në të gjithë sektorët e prodhimit, përfshirë prodhimin e prokateve të çelikut në fabrikën e çelikut (224,541 tonë prokate çeliku), prodhimin e shufrave të çelikut në fabrikën e petëzimit (243,095 tonë shufra çeliku), prodhimin e gëlqeres në fabrikën e gëlqeres, si dhe prodhimin e energjisë elektrike në 4 HEC-et në pronësi të saj.
HEC-et kanë prodhuar rreth 350 milionë KW, nga të cilat, rreth 195 milionë KW shkuan për shitje dhe pjesa tjetër për përdorim në fabrikën e Elbasanit.
Sipas të dhënave në bilanc, gati 70% e të ardhurave ishin nga aktiviteti kryesor (nga shitja e hekurit dhe nënprodukteve të tij) dhe pjesa tjetër, nga prodhimi i energjisë e aktivitetet e tjera.
Në 30 qershor 2017, Shoqëria u bë pjesë e një plani riorganizimi 7-vjeçar, sipas të cilit u riskedulua dhe miratua plani i pagesave ndaj kreditorëve.
Sipas vlerësimeve të bëra, në total janë shlyer rreth 75 milionë euro në principale dhe rreth 4 milionë euro interesa ndaj kreditorëve.
“Gega Oil Group”
“Gega Oil Group” (ish-“Genklaudis SH.A.”) u rendit në vitin 2022, si operatori i dytë më i madh i naftës në vend, pas “Kastrati Group” për të pestin vit radhazi.
Kompania ka deklaruar një qarkullim vjetor prej rreth 44.3 miliardë lekësh, me rritje me 23% me bazë vjetore, e ndikuar nga shtrenjtimi i çmimeve të naftës e derivativave të saj, ndërsa sasitë e tregtuara janë ulur.
Sipas raportit të aktivitetit, “gjatë vitit 2022, shoqëria ‘Gega Oil Group SHA’ ka ulur aktivitetin e vet në tregtimin me shumicë të produktit diesel dhe benzinë, për shkak edhe të rritjeve të çmimeve të karburanteve në bursë dhe të kërkesave më të pakta të klientëve, për shkak të kësaj krize në rritje. Shitjet për vitin 2022 gjithsej janë:
Diesel në sasinë 296.5 milionë litra dhe benzinë, në sasinë 28 milionë litra.
Shoqëria ka kryer investime në zonën energjetike Porto Romano, Durrës, dhe ka shtuar kapacitetin depozitues ekzistues për produktet që tregton. Gjatë vitit 2022, numri mesatar i klientëve aktivë ka qenë rreth 1,500, ndërsa numri i furnitorëve, rreth 70”.
“Ener Trade”
“Ener Trade”, pjesë e “Gjonaj Group Holdings”, me aktivitet në fushën e tregtimit privat të energjisë elektrike, ka hyrë për herë të parë në listën e 10 më të mëdhave në vend, sipas të ardhurave.
Kompania deklaroi një xhiro prej 42.7 miliardë lekësh, me rritje të fortë prej 145%, e ndikuar nga shtrenjtimi në bursa i çmimeve të energjisë.
Të ardhurat e kompanisë reflektojnë aktivitetin e saj në Shqipëri dhe në vende të tjera të rajonit.
Marin Gjonaj, themeluesi i “Gjonaj Group”, pohon se “Ener Trade” nuk ka aktivitet vetëm në Shqipëri, por është kthyer në një tregtues të mirëfilltë të energjisë elektrike në Europën Lindore, duke marrë statusin e një tregtuesi rajonal të energjisë elektrike me shumicë, me prani në të gjitha bursat e energjisë elektrike, nga Hungaria deri në Greqi.
KESH
“Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (Sh.a. KESH)” renditet për të dytin vit radhazi në listën e 10 më të mëdhave. Në vitin 2022, të ardhurat u rritën me 256%, në 35.6 miliardë lekë, sipas të dhënave ende të paaudituara, të raportuara nga vetë KESH.
Ndonëse të ardhurat u rritën ndjeshëm, aktiviteti i ekonominë nuk ka qenë aq pozitiv, me humbjet që arritën gati 27 miliardë lekë, teksa operatori shtetëror i prodhimit të energjisë u detyrua ta blinte shtrenjtë energjinë në bursa, për të kompensuar rënien e prodhimit nga moti i pafavorshëm dhe mbulimin e humbjeve.
Ergys Verdho, Administrator i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, pohon se “viti 2022, paraqiti një vit të vështirë në aspektin hidrik, i cili, i shoqëruar me situatën atipike të tregjeve të energjisë, për shkak të faktorëve gjeopolitikë në Europë, solli për KESH sh.a. rrezikun e ekspozimit të menjëhershëm në kosto të shtuara dhe të paparashikueshme”.
Sasia e energjisë e importuar në vitin 2022 ishte 1,467,734 MWh, me çmim mesatar importi 305.48 euro/MWh.
“Sfidat e vitit 2022 ishin të lidhura me njëra-tjetrën dhe kryesisht u përmblodhën në atë të sigurimit të energjisë elektrike me kosto optimale, për të realizuar furnizimin me energji brenda vendit, pa ndikuar në prekjen e çmimit fundor për konsumatorët”, shton z. Verdho.
“INFO-Telecom”
“INFO-Telecom”, pjesë e “Gjonaj Group Holdings”, që ofron shërbime dhe aplikacione telekomunikacioni ndërkombëtare me shumicë te më shumë se 350 operatorë celularë në shtete të ndryshme në të gjithë botën, raportoi të ardhura prej 28.4 miliardë lekësh, me zgjerim prej 41% në krahasim me vitin e mëparshëm. (nga të ardhurat është zbritur autofaturimi).
Sipas raportit vjetor, 66% e të ardhurave ishte nga shitja e shërbimeve të komunikimeve elektronike jashtë Shqipërisë (eksport), ndërsa 33% erdhi nga aktiviteti i shitblerjes së energjisë elektrike.
Marin Gjonaj, themeluesi i “Gjonaj Group”, këtë vit me dy hyrje në 10 më të mëdhatë, pohon se “INFO-Telecom” është diversifikuar, duke shtuar shërbimet në operatorët celularë në botë, si SS7 Roaming and Hubbing, Sisteme Omnichannel/Firewalls, dhe shërbimet e terminimit të thirrjeve apo SMS konfirmuese midis shumë shteteve të botës.
Këto shërbime dhe aplikacione zhvillohen nga programues ekskluzivisht në Shqipëri dhe shiten jashtë. 99% e blerjeve apo të shitjeve janë vetëm me Operatorë Celularë në botë.
“Bankers Petroleum”
“Bankers Petroleum”, prodhuesi kryesor i naftës, që ka me koncesion fushën naftëmbajtëse më të madhe mbi tokë në Europë, Patos-Marinzën, raportoi të ardhura rreth 26.8 miliardë lekë, me rritje prej 19.1% me bazë vjetore, sipas burimeve të saj zyrtare (bilanci në QKB nuk është dorëzuar ende).
Huanqin Xiao, CEO i “Bankers Petroleum Albania”, pohon se në vitin 2022, industria e naftës shënoi ecuri të luhatshme. Te “Bankers Petroleum”, prodhimi mesatar i naftës arriti në 9,267.1 fuçi naftë në ditë.
“Në fund të tremujorit të katërt, kishim 400 puse prodhimi të naftës në fushën e naftës së Patos-Marinzës. Në total, ‘Bankers’ prodhoi 540 mijë tonë në vitin 2022”.
“Big Market”
“Big Market”, zinxhiri më i madh i supermarketeve në vend, për herë të katërt është klasifikuar ndër 10 më të mëdhatë, sipas qarkullimit vjetor të konsoliduar për të gjithë rrjetin.
Të ardhurat e kompanisë, sipas të dhënave zyrtare, ishin 24.5 miliardë lekë, me rritje prej 16% në krahasim me vitin e kaluar.
Burime zyrtare nga kompania thanë se në vitin 2022 “Big Market” hapi 13 dyqane të reja, ndërsa në fokus ka nxitjen e ekonomisë lokale dhe mbështetjen e prodhimit vendas. Investimet në rrjet janë të orientuar në mënyrë strategjike drejt zgjerimit dhe përshtatjes së teknologjisë së fundit.