Perceptimi i bizneseve që operojnë në vendin tonë nuk pozitiv sa i takon pritshmërive për 12 muajt e ardhshëm, pasi janë një sërë faktorësh që i bën kompanitë të pasigurta për zhvillimin ekonomik të tyre. Kështu, rreziku kryesor nga i cili tremben sipërmarrjet, është mungesa e fuqisë punëtorë, e cila është bërë një problematikë e theksuar vitin e fundit për shkak të largimit masiv drejt tregjeve evropiane.
Një ndër arsyet e ikjes së fuqisë punëtore ka qenë rritja e çmimeve dhe pagat e ulëta, gjë që vuri në lëvizje qeverinë shqiptare që të ndërmarrë reformën e rritjes së pagave në administratën publike, por edhe të nxisë bizneset private në këtë drejtim.
Faktori i dytë, lidhet me kostot e punës, të cilat mesa duket perceptohen si të larta, ndërsa faktori i tretë ka të bëjë me çmimin e energjisë dhe të lëndëve të para. Po ashtu, sipërmarrjet vlerësojnë si rrezik edhe kushtet ekonomike, ndjekur nga luhatjet e forta të kursit të këmbimit.
Siguria ligjore, barrierat tregtare, kërkesa, financimi dhe infrastruktura janë faktorë të tjerë shqetësues të nxjerra në pah në anketimin e zhvilluar nga Dhoma Gjermane e Tregtisë dhe Industrisë (DIHA) por jo në nivelin e atyre që renditen në krye të listës.
Ndërsa sa i takon faktorëve aktual më negativ që ndikojnë në të bërit biznes në Shqipëri, kompanitë listojnë, transparencën e tenderëve publikë, luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, sigurinë ligjore, aksesin në fondet mbështetëse shtetërore dhe të BE, parashikueshmërinë e politikave ekonomike.