Shtatori vendimtar për shanset e kuqezinjve për kualifikimin në Euro 2024 ka mbërritur. E tani Kombëtarja nis një garë me kohën për tu bërë gati në mënyrën më të mirë të mundshme për sfidat me Çekinë dhe Poloninë. Me kampionatet që tashmë janë të gjitha në aktivitet, ditët e përgatitjes nuk janë të mëdha. Për këtë arsye edhe është planifikuar një agjendë e mirëmenduar, për ti dhënë teknikut Sylvinho dhe lojtarëve të përzgjedhur shtrirjen e duhur për të punuar.
Me fundjavën impanjative të kampionateve, grumbullimi është programuar për në datën 4 shtator. Tekniku brazilian megjithatë do të ketë mundësinë ndoshta të shohë gjendjen e disa prej futbollistëve, që mund të mbërrijnë më herët, kontrektisht në datën 3. Kombëtarja, zyrtarisht, do t’i zhvillojë seancat stërvitore në datën 4 e datën 5. Gjithnjë me një seancë e gjithnjë pasdite, të paktën sipas variantit të parë të menduar. Në datën 6 kuqezinjtë do të nisen për në Çeki, ku pasdite do të zhvillojnë edhe seancën zyrtare stërvitore dhe konferencën për shtyp. Ndeshja delikate me Çekinë kryesuese, një pikë mbi Shqipërinë, por me një ndeshje më shumë do të luhet në datën 7 shtator në orën 20.45.
Asnjë vonesë, sepse pas saj të besuarit e Sylvinhos i pret përballja me Poloninë. Kështu që kthimi do të bëhet menjëherë pas ndeshjes, duke u gdhirë data 8. Atë pasdite është në program edhe një seancë stërvitore, ndërsa ajo zyrtare dhe konferenca për shtyp e brazilianit dhe kapitenit do të jetë në datën 9 shtator. Një dalje që paraprin sfidën e 10 shtatorit, në orën 20.45, pas të cilave shumë gjëra do të jenë të qartë në lidhje me shanset e kualifikimit.