Komisioni i Ekonomisë miraton ndryshimet në buxhetin e vitit 2020

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi Aktin Normativ për rishikimin e buxhetit të vitit 2020.

Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Adela Xhemali tha se Akti Normativ nuk prek parametrat kyç makrofiskal, ndërsa përmes tij u sigurua zbatimi i dy prioriteteve, financimin e shpërblimit në masën 5 mijë lekë për çdo pensionist në fund të vitit si dhe financimin e skemës së ndihmës ekonomike dhe paaftësisë.

Po ashtu, vuri në dukje ajo u krye rialokimi i shpenzimeve kapitale me synim rritjen e eficenës së përdorimit të tyre.

Referuar alokimeve më të rëndësishme, akti normative përcakton alokimin e fondit 3.4 miliardë lekë për financimin e shpërblimit të fundvitit për kategorinë e pensionistëve, shtesën e fondeve në masën 1.4 miliardë lekë, për financimin e disa nevojave shtesë të ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, kryesisht për skemën e ndihmës ekonomike dhe paaftësisë, si rrjedhojë e specifikave të përdorimit të saj gjatë vitit 2020, të karakterizuar nga pasojat sociale të pandemisë COVID-19, si dhe shtesën e fondeve në masën 420 milionë lekë në zërin e subvencionit të ndërmarrjeve ujësjellës kanalizimeve, me qëllim shlyerjen e detyrimeve të prapambetura në zërin kontribute të sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe tatimfitimit.

Akordimi i këtij fondi prej 420 milionë lekë në zërin subvencione ka një efekt neutral në buxhetin e vitit 2020, pasi ai do të shkojë automatikisht për pagesën e detyrimeve të sipërcituara, duke u regjistruar si hyrje (të ardhura) në buxhetin 2020.

Po ashtu, në Aktin Normativ përcaktohet shtesë e fondeve për ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë në masën 200 milionë lekë. Në të njëjtën kohë përcaktohet financimi shtesë prej 2.9 miliardë lekësh për sektorin e ujësjellës kanalizimeve në shkallë vendi, për përmirësimin e furnizimit me ujë të popullsisë, financimin prej 982 milionë lekësh për projektet e përpunimit të mbetjeve urbane.

Akti Normativ siguron edhe një financim shtesë në masën 673 milionë lekë për dy projekte prioritare të KQZ-së, përkatësisht “Projektin e identifikimit elektronik të zgjedhësve” dhe “Projektin pilot të votimit dhe numërimit elektronik”, si dhe akordimin e një fondi prej 97 milionë lekësh për ngritjen e sistemeve mbështetëse për funksionimin e godinës së SPAK-ut dhe BKH-së.

Kryetari i Komisionit, Anastas Angjeli tha se kuadri markoekonomik nga zbatimi i këtij Akti Normativ nuk preket.

Sipas Angjelit, si rezultat i një rimëkëmbjeje të ekonomisë në tremujorin e tretë të vitit 2020, rritja ekonomike parashikohet me një rënie prej 4.4 % gjatë 2020, ndryshe nga sa ishte parashikuar më parë për një rënie të ekonomisë prej mbi 6 %.

“Për shkak të dy goditjeve që ekonomia shqiptare mori, tërmeti dhe pandemia, gjendja e treguesve makroekonomik sidomos në rritjen ekonomike ka pësuar një tkurrje. Deri tani parashikohet rënie e rritjes ekonomike me 4.4 %; deficiti buxhetor 6.7 % dhe borxhi publik në nivelin 79.8%”, tha Angjeli.

GELDTrade.al