Kompania “Voltalia” është shpallur fituese për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Spitallës, një park me kapacitet prej 100 Megavatësh i cili do të ngrihet në një sipërfaqe prej 120 hektarësh.
Ajo ofroi një çmim prej 29.89 euro/megavat për 70 megavatë të energjisë së prodhuar që do të parablihet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE).
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cilësoi ndërtimin e këtij parku një tjetër hap drejt diversifikimit të burimeve të energjisë, pas parkut fotovoltaik të Karavastasë. Ndërsa çmimi i ofruar tha ajo, është një tjetër rekord historik pas atij të arritur në Karavasta, prej 24.89 euro/MV.
“Ky park është dizenjuar për të prodhuar 100 megavatë energji, ku 70 megavatë do të parablihen nga OSHEE dhe 30 megavatë do të shiten në tregun e lirë duke përdorur bursën e energjisë për një periudhë prej 15 vitesh“, tha ministrja.
Në garë morën pjesë 5 kompani, por vetëm 2 prej tyre e kanë kaluar fazën e vlerësimit teknik për të ardhur në fazën e vlerësimit financiar, “Voltalia” një kompani franceze e angazhuar në Karavasta dhe kompania kineze “Universal Energy”, e cila disa herë ka treguar interes.
“Universal Energy” ofroi një mim prej 46 euro/megavat.










