Konsumi i energjisë u rrit gjatë 2021 – INSTAT: Familjarët zënë 47% të totalit, humbjet në rrjet pësuan rënie të lehtë

Konsumi i energjisë elektrike u rrit gjatë vitit 2021, në raport me 1 vit më parë, duke arritur në 6.62 mln Mwh. Pjesa më e madhe është konsumuar nga abonentët jofamiljarë me rreth 53% të totalit, ndërkohë që konsumatorët familjarë konsumuan rreth 47% të saj. Sipas bilancit të energjisë, të publikuar nga INSTAT, në raport me vitin 2020 konsumi nga klientët familjarë mbeti thuajse në nivele të njëjta, ndërkohë që rritja ka ardhur nga konusmatorët jofamiljarë, ku futen bizneset, institucionet buxhetore dhe ato jobuxhetore.

Ndërkaq, humbjet e energjisë në rrjet kanë pësuar rënie në raport me 1 vit më parë, ku sipas shifrave 21.2% e energjisë humbi në rrjetin e transmetimit apo shpërndarjes. Në raport me një vit më parë, humbjet në vlerë absolute kanë pësuar rritje, por në raport me energjinë totale në dispoziocion janë në rënie të lehtë, pasi vitin e kaluar ishin 21.4%. Sa i takon prodhimit, sipas INSTAT gjatë vitit 2021 u prodhuan 8.41 mln mwh, ndonëse pak dië më parë Enti Rregullator i Energjisë raportoi se në total u prodhuan rreth  8.96 milion mwh energji.

Pjesë e prodhimit total janë edhe impiantet fotovoltaike, që gjithsesi mbeten modeste, në raport me energjinë e prodhuar nga burimet ujore. Për vitin 2021 sasia e prodhuar nga impiantet fotovoltaike, sipas INSTAT arriti në 0.48% të totalit, ndërkohë që numri i impianteve që prodhojnë energji nga dielli nuk ka patur ndryshim në raport me një viti më parë, duke mbetur në 11, teksa kapaciteti total i instaluar është 23 MW, duke përfshirë edhe Kompaninë e Ujësjellës-Kanalizimeve Korçë, që prodhon energji për qëllime autokonsumatore.

Shifrat e 12-mujorit tregojnë se në total nga centralet diellore u sigurua 40 756 mëh energji. Shifrat e energjisë diellore kanë një mospërputhje të lehtë me të dhënat e raportuara nga ERE.