Konsumi prek financat publike – 10mujori/ TVSH-ja efekt negativ, rriten të ardhurat nga kontributet

Financat publike vijojnë trendin pozitiv, duke bërë që të mblidhen 66 miliardë lekë më shumë janë në arkën e shtetit në 10-mujorin 2021, krahasuar më të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas treguesve fiskalë të Ministrisë së Financave, të ardhurat totale për Janar-Tetor, u realizuan në masën 413.73 miliardë ose 104.2 % të planit të 10-mujorit.

Të ardhurat tatimore u realizuan në masën 206.8 miliardë lekë, 25.9 miliardë ose 14.3% më shumë se 10-mujori i vitit të kaluar, si dhe 3.2 miliardë lekë, ose 1.6% më shumë se plani i 10-mujorit 2021.  Megjithatë TVSH, e cila tregon edhe nivelin e konsumit në vend,  vijon të kontribuojë negativisht, duke u realizuar në masën 24.2 miliardë lekë, 1.4% më pak se 10-mujori 2020, si dhe 7 miliardë lekë ose 22.4% më pak se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 10-mujorin 2021.

Nga tatimi mbi të ardhurat personale janë mbledhur 5.2 miliardë lekë më shumë se një vit më parë, por  me rënie në 0.6% në raport me planin. Nga tatim fitimi u mblodhën 5.1 miliardë lekë më shumë se 10-mujori i një viti më parë dhe 0.5%  më shumë se plani. Ndërsa nga taksat nacionale janë mbledhur 32.6 miliardë lekë, me një rritje të konsiderueshme në krahasim me planin dhe vitin që kaloi.  Rritjen më të lartë e kanë regjistruar të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, në 10.6 miliardë lekë në krahasim me 2020-ën, ku u realizuan në total 89.1 miliardë lekë.

Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 153.9 miliardë lekë, 30.1 miliardë lekë se 10 mujori 2020, si dhe 15.4 miliardë lekë më shumë se plani i të ardhurave doganore për 10 mujorin e vitit 2021. Ndikim ka dhënë kryesisht rritja e volumit të importit. Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën dhjetë mujore të vitit 2021, arritën në rreth 449.63 miliard LEK me një realizim në masën 91.8% të planit të periudhës.  Defiçiti rezultoi në rreth 35.9 miliard lekë.