Kosovë/ U hap aplikimi për shtesat prej 100 euro për punëtorët e sektorit privat, ja kushti që duhet të plotësohet për ta përfituar

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se është hapur aplikimi për shtesat prej 100 euro për punëtorët e sektorit privat. Por, për të marrë këto shtesa, punëtorët duhet të jenë të deklaruar si të punësuar në periudhën tatimore shkurt 2022.

Administrata Tatimore e Kosovës  ka publikuar sot platformën për aplikim për punëtorët e sektorit privat.

Tashmë në ueb faqen e ATK-së, mund të gjeni linkun për aplikim për përfitimin e 100 eurove.

Kurse, ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka treguar se për të marrë këto shtesa, punëtorët duhet të jenë të deklaruar si të punësuar në periudhën tatimore shkurt 2022.

Ministria apelon që të keni kujdes te plotësimi i të dhënave të kërkuara, meqë nëse të dhënat janë të pasakta, aplikuesi s’do të mund të përfitojë nga subvencionimi.

“Vlen të theksohet se të dhënat duhet të jenë të sakta, dhe llogaria bankare duhet të jetë në emër të përfituesit. Përndryshe, nëse të dhënat e plotësuara janë të pasakta, përfshirë numrin e llogarisë bankare, atëherë aplikuesi nuk do të mund të përfitojë nga subvencionimi. Kusht për kualifikim për mbështetje nga kjo masë është që punëtori të ketë qenë i deklaruar si i punësuar në periudhën tatimore shkurt 2022”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Për punëtorët që janë deklaruar në periudhën tatimore mars 2022, shtesat do të dalin tek në fund të qershorit, por që duhet të jenë deklaruar edhe për periudhat tatimore prill dhe maj.

“Punëtorët të cilët janë deklaruar nga punëdhënësi në periudhën tatimore mars 2022, mund të aplikojnë, mirëpo subvencionin do të mund ta përfitojnë vetëm pasi të jenë deklaruar edhe për periudhat tatimore prill dhe maj, që nënkupton se subvencionin do të mund ta marrin në fund të muajit qershor 2022”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se tri ditë më parë, Qeveria e Kosovës mori vendim për t’i mbështetur me nga 100 euro si subvencione, të gjithë punëtorët si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat, të gjithë pensionistët, studentët dhe familjet nën asistencë sociale.

Pensionistët tashmë i kanë marrë këto shtesa me pensionin e këtij muaji, më datë 15 prill, ndërsa punëtorët e sektorit publik do t’i marrin shtesat automatikisht me pagat e muajit maj.

Ndërkohë, studentët dhe punëtorët e sektorit privat do t’iu duhet të aplikojnë për të përfituar.

Derisa sot është lansuar platforma për aplikim për sektorin privat nga ATK-ja, platforma për aplikim për studentët ende nuk është hapur.

Sipas paralajmërimeve, studentët do të aplikojnë përmes shërbimit elektronik në e-Kosova.

Gjithashtu, edhe familjet nën asistencë sociale do t’i marrin këto shtesa me pagesën e socialit këtë muaj. Aplikimi për mbështetje nga kjo masë do të jetë i hapur nga data 21 prill deri më datë 20 maj 2022

Këto janë kushtet që duhet të plotësohen

Të dhënat duhet të jenë të sakta dhe llogaria bankare duhet të jetë në emër të përfituesit. Përndryshe, nëse të dhënat e plotësuara janë të pasakta, përfshirë numrin e llogarisë bankare, atëherë aplikuesi nuk do të mund të përfitojë nga subvencionimi.

Kusht për kualifikim për mbështetje nga kjo masë është që punëtori të ketë qenë i deklaruar si i punësuar në periudhën tatimore shkurt 2022.

Punëtorët të cilët janë deklaruar nga punëdhënësi në periudhën tatimore mars 2022, mund të aplikojnë, mirëpo subvencionin do të mund ta përfitojnë vetëm pasi të jenë deklaruar edhe për periudhat tatimore prill dhe maj, që nënkupton se subvencionin do të mund ta marrin në fund të muajit qershor 2022.

Aplikimi për mbështetje nga kjo masë do të jetë i hapur nga 21 prill deri më 20 maj 2022.

Në rast se të punësuarit dëshirojnë të verifikojnë që punëdhënësi i ka deklaruar si të punësuar në Administratën Tatimore të Kosovës për periudhën tatimore shkurt 2022, ashtu që të konfirmojmë se kualifikohen për mbështetje, atë mund ta bëjnë në vjegëzën në vijim: https://apps.atk-ks.org/regemployer

Të punësuarit e sektorit publik që marrin pagë nga buxheti i shtetit nuk kanë nevojë të aplikojnë sepse subvencionin do ta marrin me pagën e muajit prill.