Indeksi i Kushtimit në Ndërtim, tregues i cili mat ecurinë e çmimeve në sektor, me bazë tremujore, për tre muajt e dytë të këtij viti fiksohet pranë 4.7%, sipas të dhënave më të fundit nga “Instituti i Statistikave”. Krahasuar me një vit më parë kur ky ndryshim regjistrohej në 6.2% vihet re se është shënuar një rënie. Referuar këtij ndryshimi duket se rënia e përgjithshme e çmimeve ka ndikuar edhe në sektorin e ndërtimit. Nga të dhënat shohim se kjo është vlera më e ulët që nga tremujori i parë i vitit të kaluar kur çmimet në ndërtim rriteshin me 5%.
Sa i përket rritjes së çmimeve në tremujorin e dytë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, nga shifrat rezulton se, rritjen me të lartë të çmimeve e ka shënuar grupi “Shpenzime materiale” me 5.4%, pasuar nga grupet “Shpenzime energjie” me 5.0%, “Shpenzime për paga” me 4.9%, “Kosto të tjera” me 4.6%, “Shpenzime transporti” me 4.0% dhe “Shpenzime makinerie” me 2.9%. Brenda grupit “Shpenzime materiale”, indekset e nëngrupit “Materiale hidro-sanitare dhe ventilimi” shënuan rritjen më të lartë me 5.8%, pasuar nga grupi “Materiale ndërtimi” me 5.5% dhe “Materiale elektrike dhe komunikimi” me 4.3%.
Në terma tremujorë ndërkohë, shohim se çmimet në ndërtim janë rritur me 1.1%, nga 1.2% që rriteshin në tremujorin e parë të po këtij viti. Sipas shifrave të “INSTAT” rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime energjie” me 2.2%, pasuar nga grupet “Shpenzime për paga” me 1.3%, “Shpenzime materiale” me 1.0%, “Shpenzime transporti” me 0.9%, “Shpenzime makinerie” dhe “Kosto të tjera” me 0.5% secila.
Pra, nga panorama e plotë e të dhënave shohim se si në terma vjetorë, ashtu edhe në terma tremujorë, asnjë prej zërave të shpenzimeve në sektor nuk ka pësuar rënie gjatë tremujorit të dytë të këtij viti.