Kredia për agrobizneset pati rritje me 33% gjatë vitit të kaluar

Bankat tregtare rritën ndjeshëm huadhënien për agrobizneset vitin e kaluar.

Sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave, për vitin 2020 sektori dha 3.2 miliardë lekë kredi të reja për agrobizneset, me një rritje prej 33% krahasuar me vitin 2019. Rritja është e konsiderueshme edhe në numrin e kredive. Vitin e kaluar u disbursuan 793 hua të reja për agrobiznesin, 34% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Bujqësia dhe agrobiznesi janë ndër sektorët ku ekzistojnë edhe mundësitë më të mëdha për të përfituar nga skemat mbështetëse që ofrojnë qeveritë apo bankat e zhvillimit për nxitjen e haudhënies. Bankat tregtare kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me qeverinë dhe institucione financiare për rritjen e financimit për një bujqësi të qëndrueshme për një shumë totale prej më shumë se 5 miliardë lekësh.

Por, me gjithë rritjen e vitit të kaluar, huaja për agrobizneset ka një peshë të ulët në portofolin e kredisë së sektorit bankar. Sipas Shoqatës së Bankave, në fund të vitit 2020, portofoli i kredisë për agrobiznesin raportohet në vlerën e rreth 5.2 miliardë lekëve ose rreth 42 milionë eurove. Kjo shumë përbënte rreth 0.85% të tepricës së kredisë dhënë nga sektori bankar në fund të vitit të kaluar.

Ndërsa agropërpunimi në vitet e fundit shpesh ka gjetur mbështetjen e sektorit bankar, segmenti më i vështirë për t’u kredituar ngelet aktiviteti primar bujqësor. Pavarësisht rritjes së formalizimit të aktivitetit të fermerëve në vitet e fundit, ky sektor i ekonomisë mbetet ende i pashërbyer mjaftueshëm me shërbime financiare për shkak të risqeve të mëdha me të cilat përballet.

Sipas ekspertëve të sistemit bankar, problemet më të mëdha më kreditimin e buqësisë lidhen me mungesën e garancive dhe kolateraleve për huatë, mungesën e informacionit, njohurive teknike dhe aftësive menaxheriale të fermerëve, fragmentizimi i lartë i tokës e si pasojë mungesa e ekonomive të shkallës, mungesa e bashkëpunimit mes fermerëve për të siguruar kontrata të mëdha porosie, shfrytëzimit të përbashkët të magazinave, etj.

Krahas rreziqeve natyrore për dëmtimin e prodhimit, ky sektor përballet edhe me rrezikun e tregut, të lidhur me rënien e çmimeve apo vështirësive për ta shitur produktin.

Për shkak të rreziqeve të larta, kreditimi i fermerëve mbështetet kryesisht nga shoqëritë e kursim-kreditit apo institucionet e tjera financiare jo banka. Për më tepër, në rastin e bujqësisë rreziqet nuk mund të ulen përmes mekanizmave mbrojtëse, siç janë sigurimet. Sigurimi fermerëve në Shqipëri praktikisht nuk ekziston.

Siguruesit shpjegojnë se këto produkte rezultojnë me prime sigurimi shumë të lartë, deri në 8% të shumës së mbuluar, duke qenë kësisoj të papërballueshme për fermerët. E vetmja zgjidhje është krijimi i skemave të subvencionimi të pjesshëm të tyre nga shteti apo aktorë të tjerë, që menaxhojnë programe të zhvillimit të sektorit bujqësor.