Kreditë e garantuara nga Qeveria, biznesi hezitues

Një pjesë e mirë e borxhit të garantuar nga Qeveria në favor të bizneseve ka mbetur pa u tërhequr prej këtyre të fundit, me gjithë thirrjeve të vazhdueshme të ekzekutivit për t;ju drejtuar këtij instrumenti, Në fund të vitit 2020 rezulton se në total se përmes kësaj skeme nga qeveria u emetuan rreth 260 milionë dollarë në formën e garancive, ndërkohë që nga shoqëritë tregtare janë marrë rreth 140 milionë dollarë.

Në fund të muajit shtator 2020, portofoli i borxhit të garantuar vlerësohet në 49.1 miliardë lekë, rreth 500 milionë dollar, (3.1% e PBB) ose 3.9% e portofolit të borxhit të qeverisjes qendrore. Në stokun e garancive përfshihen dhe dy garancitë që emetoi qeveria e Republikës së Shqipërisë gjatë muajve prill–maj 2020, në kuadër të menaxhimit të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.

Për të mbështetur tregtarët dhe shoqëritë tregtare me likuiditet, qeveria e Republikës së Shqipërisë emetoi garancinë shtetërore në shumën prej 11.0 miliardë lekësh për kompanitë që kishin vështirësi në pagimin e pagave të punonjësve. Sipas kësaj skeme, shpenzimet e interesit mbulohen plotësisht nga qeveria dhe nuk kërkohet asnjë kolateral nga kompanitë. Përveç garancisë së parë, qeveria e Republikës së Shqipërisë emetoi një garanci shtetërore të dytë, në shumën prej 15.0 miliardë lekësh, duke siguruar hua për kapital qarkullues dhe investime për të gjithë sektorët e ekonomisë. Në këtë skemë garancie, qeveria garantoi 60% të principalit. Gjithsej nga qeveria u akorduan 26 miliardë lekë në formën e garancive, të cilat deri në fund të muajit shtator mundësuan kreditimin e shoqërive tregtare me 10.61 miliardë lekë.

Në fund të vitit vlera e kredive të miratuara shkon rreth 14.5 miliardë lekë, nga të cilat disbursimet shënojnë një vlerë prej rreth 13.3 miliardë lekësh. Vetëm pak ditë më parë, Ministria e Financave miratoi kërkesën e Shoqatës Shqiptare të Bankave, e cila kishte vlerësuar të nevojshme një shtyrje tjetër të afatit për aplikim sipas kësaj skeme kredidhënie të mbështetur me garanci shtetërore, në kushtet ku ka akoma subjekte të interesuara për të përfituar nga kjo skemë. Ky afat shtyhet deri më datë 30 qershor 2021.

GELDTrade.al