Kriptovalutat “rrëzohen” gjatë fundjavës – Bitcoin dhe Ethereum bien me rreth 10%. Zgjerojnë humbjet e javës

Kriptovalutat kanë vazhduar rënien gjatë fundjavës, me Bitcoin që ka humbur thuajse gjysmën e vlerës që prej nivelit rekord të lartë të muajit Nëntor. Bitcoin, kriptovaluta më e madhe në botë me vlerë tregu, ra me 8% në fundjavë, duke u tregtuar poshtë 35,000 dollarëve. Monedha shënoi një nivel rekord të lartë prej 69,000 dollarë në Nëntor 2021.  Ndërkohë, kriptovaluta e dytë më e madhe , ether, ra me 10% në rreth 2,400 dollarë.

Humbjet nisën me përmbysjen e tregut të aksioneve ditën e Enjte. Kriptovalutat dhe titujt e kapitalit kanë ecur me të njejtin trend rënës këtë muaj, ndërkohë që investitorët janë shqetësuar mbi mënyrën se si tkurrja monetare  e Rezervës Federale do të ndikojë tek tregu.  Bitcoin po përdoret si mbrojtës nga rritja e inflacionit, që ka ardhur nga stimujt qeveritarë, por analistët thonë se qasja më e ashpër e Rezervës Federale mund të ndikojë tek tregu i kriptovalutave.