Kriteret e aplikimit për financim në bujqësi – Fondi 3.2 miliardë lekë/ Nga nipti aktiv, tek pagesa e sigurimeve shoqërore

Nga data 25 shkurt , Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural ka hapur aplikimet për fermerët për të përfituar nga fondi i subvencioneve për këtë vit, prej 3.2 miliardë lekë, nga të cilat rreth 1 miliardë shkojnë për naftën falas në bujqësi.  Ndërkohë është botuar në Fletoren Zyrtare edhe udhëzimi  i cili detajon mënyrën e aplikimit dhe kriteret që duhet të plotësojnë aplikantët, për të qenë përfitues të një ndër 13 masave që do të mbështeten gjatë këtij viti.

Kështu sipas udhëzimit, aplikanti duhet të jetë shtetas shqiptar ose person juridik ku të paktën njëri prej ortakëve/aksionarëve është shtetas shqiptar. Përfitues sipas masave mbështetëse mund të jenë fermerë individualë, grup fermerësh, subjekte me status fizik, juridik, SHBB. Fermerët individualë të jenë të pajisur me NIPT-in e fermerit me status aktiv. SHBB-të dhe personat fizikë dhe juridikë të jenë të pajisur me NIPT/NUIS me status aktiv.  Përfituesi të këtë bërë “shlyerjen koherente të sigurimeve shoqërore” .

Për një pjesë të masave, aplikimi i fermerëve bëhet on line përmes portalit e-albania, me zero dokumente.  Për gjithë aplikantët me status fermer ose person fizik/juridik që kryejnë aktivitet për prodhimin bujqësor dhe blegtoral, para aplikimit duhet të plotësojnë/përditësojnë Regjistrin e Fermës. Procedura e aplikimit nga portali e-Albania, përfundon me dërgimin me sukses të formatit elektronik të formularit të aplikimit dhe renditja e aplikimeve bëhet automatikisht nga sistemi në rang kombëtar dhe për çdo masë mbështetëse.

Ndërsa aplikimi për 5 masa të tjera, ku përfshihet ndërtimi i serave diellore për kultivimin e perimeve, ato që prekin sektorin e peshkimit, apo ndërtimi i tregjeve të kafshëve apo perimeve, si dhe automatizimi i proceseve në fermë bëhet me dosje fizike e cila dorëzohet në AZHBR. Pjesa më  më e madhe e dokumenteve gjenerohet nga portali e-Albania.