Kufiri për blerjet online pa TVSH mund të rritet

MIE kërkon ndryshimin kufirit të lejuar për blerjen e mallrave online deri në 22 euro pa TVSH, pasi kjo po rrit kostot për operatorët e shërbimit postar.

Nga rritja e pragut të lejuar për blerjet online pa TVSh deri te rishikimi i tarifave të shërbimit postar universal (brenda dhe jashtë vendit), Ministria e Energjetikës dhe Infrastrukturës (MIE) ka hedhur për konsultim projektvendimin “Për miratimin e dokumentit të politikës së shërbimeve postare në Republikën e Shqipërisë për vitet 2021 – 2026.” Në dokument vihet theksi edhe për një rishikim të tarifave të shërbimeve universale postare (brenda dhe jashtë vendit) me qëllim reflektimin e ndryshimeve që kanë ndodhur në tregun postar për shkak të krizës nga Covid-19. Ministria e Energjetikës kërkon ndryshimin kufirit të lejuar për blerjen e mallrave online deri në 22 euro pa TVSH, pasi kjo po rrit kostot për operatorët e shërbimit postar.

“Operatorët postarë raportojnë kosto të larta administrative në zhdoganimin e dërgesave të vogla në doganat shqiptare, duke rritur në këtë mënyrë tarifat për trajtimin e dërgesave në doganë dhe duke kontribuar në vonesën e dërgesave. Që eksperienca e shqiptarëve me blerjen e mallrave online, veçanërisht të atyre ndërkufitare të jetë sa më e volitshme dhe sa më komode, nevojitet marrja e masave të tilla si krijimi i një one-stop-shop online për pagesën e TVSH, rritja e tarifës “de minimis” për detyrimet e importit, apo eliminimi i tarifave të skanimit për dërgesat me vlerë të ulët. Shqipëria ka një regjim të thjeshtuar për tregtinë ndërkufitare për dërgesat e vogla.

Një vlerë “de minimis” prej 22 eurosh është caktuar, poshtë së cilës importet përjashtohen nga TVSH-ja e importit dhe detyrimet doganore, duke kursyer në kosto administrative. Tregtarët e autorizuar që përpunojnë një numër të madh pakosh postare ndërkufitare (të tilla si kompanitë e logjistikës që trajtojnë një numër të madh pakosh postare në emër të shitësve online ndërkufitarë) mund të plotësojnë deklarata të thjeshtuara për secilin artikull, që do të ndiqen më pas nga plotësimi i një deklarate shtesë përmbledhëse brenda 24 orëve”, thuhet në draft. Sakaq në dokument pohohet se Posta Shqiptare sh.a. ka prezantuar kërkesën për rishikimin e tarifave postare për shërbimin universal postar në veçanti lidhur me nevojën e mbulimit të kostove për ofrimin e shërbimit universal.

Kuadri ligjor parashikon mbulimin e kostove neto të ofrimit të shërbimit universal postar. Rishikimi i tarifave do të bëhet nga Posta Shqiptare në bashkëpunim me AKEP. “Në lidhje me tarifat për ofrimin e shërbimeve postare universale, konstatohet se struktura e tarifave të objekteve postare të Posta Shqiptare ka diferenca me ato të vendeve të BE. Tarifa të ulëta për disa objekte postare dhe më të larta për disa të tjera, si dhe mos-rishikimi i tarifave për një periudhë shumë të gjatë kohore nga viti 2002 krijojnë probleme për stimujt për ofrim efikas të shërbimit universal postar. Rishikimi periodik i tarifave për ofrimin e shërbimeve postare me qëllim rritjen e eficencës së ofrimit të shërbimeve postare është i nevojshëm”, thuhet në dokument.

Në studimin e kryer nga Banka Botërore për tregtinë elektronike Albania, “E-commerce Diagnostic Leveraging the digital trade opportunity” në Shqipëri, kur analizohet pjesa e shërbimeve postare thuhet që megjithëse Posta Shqiptare sh.a. ofron shërbime me kosto të ulët në të gjithë Shqipërinë, çmimet ende janë të larta në krahasim me të ardhurat lokale.“Ndikim kryesor në kostot operacionale të Posta Shqiptare sh.a. ka mosbarazia midis dërgesave të pakove postare në hyrje dhe ato në dalje. Ky konstatim, mund të kërkojë një analizë më të detajuar në lidhje me çmimet për dërgesat e pakove dhe në veçanti nëse kjo i referohet shërbimit universal postar”, thuhet në studim.

Referuar tarifave të aplikuara në Shqipëri nga ofruesi i shërbimit universal në strategjinë e MIE, tarifat për dërgimin e letrës me peshë 20 gram brenda vendit janë përkatësisht 70 lekë për letrën e porositur dhe 40 lekë për letrën e thjeshtë. Çmimi mesatar në Europë për dërgimin e një letre prioritare me peshë deri 20 gr brenda vendit është 0,91 euro. Ky çmim ka pasur një rritje me 9, 3% gjatë periudhës 2014-2018. Çmimi mesatar në Evropë për dërgimin e një letre të thjeshtë me peshë deri 20 gram brenda vendit është 0.64 Euro dhe ka pasur një rritje mesatare prej 1, 8% në vitin 2018 kundrejt vitit 2017.

Dokumenti synon prezantimin e politikës së re të zhvillimit të sektorit postar në Shqipëri, për periudhën 2021-2026, me qëllim përcaktimin e objektivave për përshtatjen e këtij sektori me zhvillimet më të fundit të sektorit postar në Bashkimin Evropian dhe atë global, përmirësimin e performancës si dhe adoptimin e zhvillimeve të reja në kuadër të tregtisë elektronike (e-commerce). Strategjia parashikon edhe masat që duhet të merren për zgjidhjen e problemeve që shërbimi postar po has nga mangësitë në sistemi e adresave.

GELDTrade.al