Kumbaro ultimatum prefektëve në prag të sezonit veror – Tolerancë zero për struktura betoni në plazhe

Në një takim bashkërendues me prefektët e 12 qarqeve të vendit për masat e sezonit turistik, Minsitrja Kumbaro theksoi se Shqipëria duhet të jetë gati me të gjitha forcat në terren për të siguruar më të mirën e shërbimeve dhe infrastrukturës për pushuesit vendas dhe gjithë të huajt që do të zgjedhin këtë vit Shqipërinë.

Në bashkitë që kanë vijë bregdetare, ka përfunduar procesi i ndarjes së stacioneve të plazheve dhe gjithashtu ka kaluar në Këshillin Kombëtar të Territorit vendimi për miratimin e ndërtimit të strukturave të përkohshme të shërbimit ose ato që quhen ndryshe beach-bar.

“Çdo bashki ka marrë listën me subjektet e miratuara, çka i jep mundësinë Agjencisë Kombëtare të Bregdetit të lidhë kontratat definitive dhe subjektet të fillojnë të ndërtojnë beach-baret. IKMT do të jetë në territor për të verifikuar që leja e dhënë për një strukturë të lehtë të çmontueshme të mos kthehet në beton. Janë leje të përkohshme ndërtimi. Iku koha kur fillohej me një barakë dhe përfundohej me një pallat. Këtu nuk do të ketë tolerancë”.

Para një jave, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nxorri për konsultim publik projektligjin për ndryshime në aktivitetet e turizmit detar, me qëllim lehtësimin e procedurave për ushtrimin e veprimtarive në këtë fushë. Operatorët që do të ushtrojnë veprimtari të turizmit detar do t’i nënshtrohen vetëm procesit të certifikimit, pa pasur nevojë të licensohen më parë si operatorë turistikë. Kumbaro nënvizoi që operatorët nuk do të lejohen të ushtrojnë aktivitetin e tyre nëse nuk janë të pajisur me certifikatë nga ministria.

Ndër të tjera, ministrja vuri në dukje se sfida më e madhe këtë vit do të jetë pastërtia dhe menaxhimi i mbetjeve.

“Është detyrë e drejtpërdrejtë e bashkive. Për sa i përket bashkisë Himarë, Sarandë, Vlorë, Rrogozhinë, Kavajë, bashkia Durrës dhe bashkia Shkodër, këtë vit do të jenë pjesë e operacionit “Plazhe të Pastra” ku nga data 15 qershor deri në datën 15 shtator, Agjencia Kombëtare e Bregdetit do të dublojë, do të dyfishojë kapacitetin e pastrimit me një operator suplementar”.

Kumbaro i bëri të ditur prefektëve që duhet të merren masa për vendosjen e tabelave orientuese për turstët në hyrjet dhe rrugët ndërqytetase, të shpërndahet informacion mbi guidat lokale të certifikuara që ofrojnë shërbimin e tyre në terren dhe në raste zjarresh, përveç shërbimit zjarrëfikës duhet të mobilizohen të gjithë aktorët institucional për t’i shkuar në ndihmë asaj bashkie që po përballet me këtë shqetësim.

Shqipëria priti 10.1 milionë vizitorë të huaj gjatë viti të shkuar dhe për tre muajt e parë të vitit 2024, shifrat flasin për 60% më shumë flukse hyrëse, prandaj mobilizimi, monitorimi i territorit dhe kouminikimi ndërinstitucional janë thelbësore për ecurinë e procesit.