Laçi u shpall të hënën kampion i Kategorisë së Parë për sezonin 2025-26, pas një përballjeje dramatike në javën e fundit të kampionatit kundër Skënderbeut në Korçë. Ndeshja e fundit e sezonit rezultoi një finale mes tyre, me kurbinasit që u treguan më të zotët në fushë.
Sfida direkte mes dy rivalëve për titullin u vendos në çastet e fundit, kur Arlind Kurti shënoi golin e fitores në minutën e 96-të, duke i dhënë kurbinasve një triumf vendimtar dhe vendin e parë në renditje.
Takimi mori një kthesë të rëndësishme edhe pas minutës së 76-të, kur Skënderbeu mbeti me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të Diaye, një moment që ndikoi ndjeshëm në fatin e ndeshjes dhe të titullit.
Edhe pse korçarët kishin dominuar pjesën më të madhe të sezonit, humbja në këtë përballje direkte u kushtoi trofeun. Laçi e mbylli kampionatin me 79 pikë, dy më shumë se Skënderbeu.
Të dyja skuadrat kanë siguruar rikthimin në Superligë, duke u rikthyer mes më të mirëve të futbollit shqiptar pas vetëm një sezoni në Kategorinë e Parë.
Pas humbjes në ndeshjen e fundit, trajneri i Skënderbeut, Ernest Gjoka, po mendon largimin nga Korça dhe pritet të mos jetë ai nën drejtimin e bardhekuqve sezonin e ri në Superligë.











