Ekosistemi lagunor bregdetar, prej vitesh është kthyer në një atraksion turistik për vëzhgimin e shpendëve që shumohen në to dhe laguna Vjosë-Nartë është një oaz i paqtë për folezimin e shumë prej tre. E pozicionuar në veri të qytetit të Vlorës kjo lagunë gëzon statusin e “Peizazhit të Mbrojtur” dhe njihet si zonë kyçe për biodiversitetin në një nivel global, me emrin “Vjosë – Nartë-Pishë Poro-Laguna e Nartës”.
Laguna e Nartës është një nga ligatinat më të mëdha dhe më të rëndësishme bregdetare të Shqipërisë për shkak të biodiversitetit të saj të mahnitshëm. Bukuria e saj konsiston në jetën e saj të pasur detare, larminë e llojeve bimore, dunat ranore apo dhe delta e lumit Vjosa. Kjo lagunë është gjithashtu e përshtatshme edhe për zhvillimin e turizmit pasi, ju përveçse mund të vrojtoni shpendët mund të shijoni edhe natyrën e pasur të zonës. Fshati Nartë dhe zona përreth njihen edhe për vreshtarinë dhe për prodhimin e disa nga verërat më të mira në Shqipëri.
Vjosë-Narta përbën një kompleks ligatinor me një rëndësi të jashtëzakonshme për llojet migratore të shpendëve, dimërues dhe ata folezues. Ligatina Vjosë-Nartë shërben si zonë ku gjejnë strehë lloje të ndryshme shpendësh. Për sa i përket rëndësisë së saj kombëtare, Narta renditet si zona e dytë më e rëndësishme në Shqipëri për shpendët ujorë pas zonës së Karavastasë dhe gjithashtu është e njohur për një numër të lartë të shpendëve dimërues, me deri në 81,000 shpend uji të numëruar gjatë Censusit Ndërkombëtar të Shpendëve të Ujit të vitit 1997. Sipas studimeve të realizuara në zonë nga PPNEA dhe BSPB, në vitin 2016, për shpendët folezues, rreth 6349 çifte janë numëruar, nga të cilët 38 lloje të konfirmuara si riprodhuese.
Bukuritë natyrore, laguna, pylli i paprekur, plazhi në të cilin nuk gjendet asnjë ndërtim, traditat e tyre, por edhe vera e fshatit janë ato që kanë tërhequr vëmendjen e gjithkujt që ka patur shansin ta vizitojë. Kjo zonë gërsheton një larmi kushtesh të përshtatshme për zhvillimin e turizmit si klimë të shëndetshme dhe kushte sociale e ekonomike të favorshme. Zona është e famshme për pasuritë e saj natyrore dhe kulturore të cilat mund të mbeshtesin aktivtete eko-turistike të shumta të tilla si shëtitje (Kallënga dhe Rezervati i Menaxhuar i Pishë-Poros), vrojtime shpendësh në lagunën e Nartës dhe në Kriporet, turizëm kulturor në zonat historike të Zvërnecit dhe të Treportit. Ndërsa grykëderdhja e Vjosës është një ndër peizazhet më të bukura të pjesës veriore të zonës së Mbrojtur Vjosë-Nartë. Plazhi i gjerë dhe prania e dendur e peshkut e bën një vend ideal për të ngritur çadrën, hedhur grepin, për të pritur perëndimin magjik të diellit, e për të kaluar natën.