LG prezanton monitorin e parë gaming 1080p me frekuencë rifreskimi 1,000Hz


Teksa monitorët 120Hz dikur konsideroheshin kulmi i shpejtësisë, standardet në gaming kanë avancuar ndjeshëm. Këtë e ilustron qartë prezantimi i fundit nga LG, i cili ka zbuluar UltraGear 25G590B, monitorin e parë në botë Full HD me një frekuencë rifreskimi native prej 1,000Hz. Pajisja synon kryesisht gamers, veçanërisht ata të lojërave first-person shooter, ku shpejtësia dhe saktësia janë vendimtare.

Edhe pse monitorë të tjerë kanë arritur shifra të ngjashme, si Odyssey G6 nga Samsung apo Predator XB273U nga Acer, këto modele përdorin mënyra “dual-mode” dhe ulin rezolucionin deri në 720p për të arritur 1,000Hz ose më shumë. Ndryshe nga ta, LG UltraGear 25G590B ofron rezolucion 1,920 x 1,080 me 1,000Hz në mënyrë native, duke garantuar kushte vizuale të qëndrueshme pa kompromise në qartësi apo performancë.

Monitori përfshin Motion Blur Reduction Pro, teknologjinë e LG që synon të përmirësojë mprehtësinë e objekteve në lëvizje të shpejtë, si dhe një panel IPS me shtresë kundër reflektimit për të reduktuar shkëlqimin. Me një madhësi 24.5 inç, ekrani është kompakt dhe mban elementët kryesorë brenda fushës natyrore të shikimit, duke minimizuar lëvizjet e panevojshme të syve.

Nga ana ergonomike, monitori ofron rregullime standarde të lartësisë, rrotullimit dhe animit, si dhe tregues kalibrimi në bazament për të riprodhuar të njëjtin konfigurim në ambiente të ndryshme, si turne apo seanca stërvitore. Në linjë me trendet aktuale, përfshihen edhe veçori AI, si AI Scene Optimization për rregullime automatike të figurës dhe AI Sound për audio më të qartë dhe hapësinore.

Detaje si ndriçimi, koha e reagimit dhe çmimi ende nuk janë bërë publike. LG ka konfirmuar se UltraGear 25G590B do të dalë në tregje të përzgjedhura në gjysmën e dytë të vitit 2026, me zgjerim gradual gjatë vitit.



Burimi Geekroom.al