Ligj i ri për investimet e huaja – Orientim drejt sektorëve prioritarë

Së shpejti, Shqipëria do të ketë një ligj të unifikuar për investimet. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, mori pjesë në eventin e prezantimit të gjetjeve të anketimit të Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) “Mjedisi i biznesit në Shqipëri 2023”, ku theksoi se po punohet për hartimin e një kuadri të ri ligjor për investimet, i cili synon ta bëjë Shqipërinë akoma edhe më tërheqëse për sipërmarrjet e huaja.

“Po punohet gjithashtu për hartimin e një kuadri të ri ligjor për një ligji të unifikuar të investimeve, i cili synon ta bëjë Shqipërinë akoma edhe më tërheqëse për investitorët e huaj, duke stimuluar investimet në përgjithësi dhe investimet në sektorë prioritarë”.

Ministri vlerësoi anketimin e realizuar nga FIAA, i cili vëren përmirësim të ndjeshëm në vlerësimin e përgjithshëm të klimës së të bërit biznes dhe pritshmëritë për përmirësim të mëtejshëm.

“Përmirësimi i një sërë treguesve të anketimit, si ato që kanë të bëjnë me marrëdhëniet me administratën tatimore e doganore, nivelin e transparencës, konkurrencën, si edhe nivelin e burokracisë me të cilën përballen bizneset, dëshmojnë se kemi pasur rezultate pozitive në këtë drejtim”.

Vitin e kaluar Investimet e Huaja Direkte kapën një shifër prej 1.3 miliardë euro dhe trendi vijon të mbetet pozitiv, dhe në 6-mujororin e parë arritën afro 700  milionë euro. Ministri u shpreh se qeveria mbetet e angazhuar përmes politikave dhe nismave të caktuara për të rritur aftësimin profesional dhe për të stimuluar pjesëmarrjen e të rinjve në tregun e punës.