Linja hekurudhore Durrës-Prishtinë – Rihapet tenderi për studimin e fizibilitetit

Tirana dhe Prishtina, përpos rrugëve automobilistike dhe ajrore, do të lidhen edhe në rrugë hekurudhore. Agjencia e Prokurimit Publik ka rihapur tenderin për kryerjen e studimit të Fizibilitetit dhe Projekt- Ide për Lidhjen Hekurudhore Durrës-Prishtinë, me një fond limit prej 200 milionë lekësh.

Raporti përfundimtar i studimit të fizbilitetit duhet të dorëzohet në një afat prej 14 muajsh, çka do të thotë që me finalizimin me sukses të kësaj procedure do ti hapet rrugë vënies në jetë të këtij projekti.

Sipas dokumenteve të tenderit, synohet që gjatësia e hekurudhës të paktën 120 km; të paktën 20 km tunele dhe 40 km struktura që janë studiuar si pjesë e projektit. Referuar dokumentit, ndërtimi i linjës hekurudhore (Durrës – Prishtinë) është i një rëndësie të veçantë për Shqipërinë dhe Kosovën pasi do të mundësojë një zhvillim të shpejtë të transportit hekurudhor të udhëtarëve dhe mallrave.

Kjo linjë e re hekurudhore do të plotësojë së pari nevojat e transportit të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe nevojat e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, duke përfshirë Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Rumaninë, Bullgarinë dhe vende të tjera që janë gjithashtu të lidhura me Korridorin Hekurudhor X dhe Korridorin Hekurudhor IV.

Gjithashtu, do të  mundësonte një lidhje shumë të rëndësishme të porteve detare me terminalet tokësore dhe të të gjitha llojeve të industrive prodhuese në BP dhe më gjerë. Procedura e prokurimit publik u hap për herë të parë në mesin e tetorit 2022, ndërkohë që 6 muaj më pas Komisioni i Prokurimit Publik ka urdhëruar rivlerësimin e ofertave, duke pranuar ankesën e konsorciumit, ku bën pjesë edhe një kompani austriake.