Liqeni i Dushkut, destinacion i turizmit natyror

Liqeni i Dushkut në Gramsh, ose siç njihet ndryshe liqeni i Zambakëve, i cili ndodhet në lartësinë 1105 metra mbi nivelin e detit është një tjetër destinacion për t’u zbuluar nga turistët.

Ky liqen është nga më interesantët në zonën e Gramshit. Liqeni i Dushkut përfaqëson një liqen akullnajor me gjatësi rreth 800 metra dhe gjerësi 400 metra. Ka botë të gjallë të pasur, në të cilën dallohen sidomos zambakët e mëdhenj të ujit që njihen ndryshe si simboli i jetës, pasionit, dashurisë dhe pastërtisë.

Gjenden edhe lloje të ndryshme peshqish të cilët japin një shfaqje të mrekullueshme teksa shfaqen dhe zhduken përsëri pas zambakëve gjatë stinëve të ndryshme.

Këtij liqeni i japin pamje akoma dhe më të bukur pishat, të cilat gjenden në një sipërfaqe rreth 12 hektarë, duke formuar një ekosistem tepër interesant liqenor e pyjor. Ka vlera shkencore gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike e biologjike, didaktike, kulturore, ekologjike dhe turistike.