Llogaritë e Shqipërisë për të siguruar EURO 2024

Në Grupin E të këtyre kualifikueseve, tani llogaritë janë më të thjeshta dhe Shqipëria matematikisht mund të shkojë në Europian, duke marrë vetëm një pikë në dy ndeshjet e mbetura. Kuqezinjtë do të luajnë takimin e parë në transfertë me moldavët dhe tri ditë më vonë do të presin në shtëpi Ishujt Faroe.

Shqipëria kualifikohet edhe nëse humbet sfidën me Moldavinë dhe barazon sfidën e fundit me Ishujt Faroe, pasi llogaritja kërkon që ekipi ynë kombëtar të marrë vetëm një pikë në dy takime, sido që të dalin rezultatet e skuadrave të tjera, pasi në rast të një përfundimi me pikë të barabarta me Republikën Çeke, ekipi i Silvinjos renditet më mirë për shkak të ndeshjeve direkte. Por, nuk është vetëm ky skenari i mundshëm, pasi Kombëtarja mund të arrijë kualifikimin edhe në rast se humbet sfidën në Moldavi. Si?

Moldavia do të shkonte në kuotën e 12 pikëve me një fitore ndaj Shqipërisë, e cila do të mbetej 13. Atëherë, nëse Polonia, e cila ka vetëm një ndeshje për të luajtur, arrin që të fitojë përballjen me çekët në transfertë do të shkonte 13 pikë, por sërish do të mbetej poshtë nesh nga ndeshjet direkt. Nga ana tjetër Çekia do të mbetej në kuotën e 11 pikëve dhe kështu në sfidën e fundit Çeki-Moldavi, sido që të dalë rezultati i ndeshjes, Shqipëria do të kualifikohej në Europian. Që të ndodhë kjo, duhet që polakët të dalin me një triumf nga Praga.