Lumi i Shalës, në liqenin e Komanit po tërheq çdo vit një numër të lartë turistësh vendas e të huaj, për shkak të bukurisë që natyra i ka falur kësaj zone. I cilësuar nga mediet e huaja si një “parajsë e vogël”, ky lum është padyshim destinacioni më i preferuar sidomos nga të rinjtë.
Lumi i Shalës buron rrëzë Alpeve Shqiptare dhe ka një gjatësi prej 37 km prej burimit në majën e Radohinës e deri në Drin. Lumi Shalës dallohet me ujin e tij të veçantë ngjyrë blu e thellë.
Ai është i pasur me një shumëllojshmëri peshqish, por më e përhapura është trofta, që rritet vetëm në ujërat e ëmbla. Ngjyra e kaltër dhe e ftohtë e ujit është karakteristike e këtij lumi, shkëmbinjtë e thepisur që e rrethojnë, duken sikur prekin qiellin.