Mbi 15 mijë përfitues nga nafta në bujqësi – Gati fondi prej 500 milionë lekësh të tjera për fermerët

Ndërkohë që çmimi i naftës është në rekordin historik, efekti negativ në sektorin e bujqësisë është amortizuar.  Referuar të dhënave zyrtare të Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, këtë vit regjistrohen rreth 15.500  fermerë që kanë përfituar naftë falas në sektorin bujqësor. Për t’i shtyrë fermerët që të punojnë tokat, të vijojnë prodhimin dhe me qëllimin e reduktimit të kostove, qeveria vendosi në fillim 900 milionë lekë në dispozicion për këtë zë dhe më pas implementoi edhe 500 milion lekë të tjera duke e çuar mbështetjen në 1.4 miliardë lekë.

Ndërkohë, burime zyrtare nga qeveria bëjnë me dije, se një paketë tjetër mbështetje për përgatitet për këtë sektor dhe së shpejti do të implementohen edhe 500 milionë lekë të tjera në mënyrë që fermerët të mos stepen dhe të mos rëndohen nga kostot e rritura të karburantit. Mbështetja me naftë jepet për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi. Subjektet përfituese janë ato që kanë madhësi totale të fermës me sipërfaqe jo më pak se 0.4 ha dhe madhësia parcelash me sipërfaqe jo më pak se 0.1 ha.

Aplikimi për të përfituar nga masa e mbështetjes me naftë për bujqësinë bëhet online në portalin e-Albania, me vetëdeklarim.  Përfitimi i sasisë së naftës falas për sipërfaqen që kultivohet, është në masën:  100% e sasisë për subjektet me sipërfaqe deri në 10 ha; subjektet me sipërfaqe mbi 10 ha, për pjesën mbi këtë shifër, përfitojnë sasinë e naftës me normativë të reduktuar.

Aplikimet i nënshtrohen procesit të verifikimit/kontrollit administrativ dhe për aplikimet fituese kryhet kontrolli në terren. Procesi i kontrollit në terren kryhet pas shpërndarjes së naftës te subjektet përfituese. Nafta për bujqësinë shpërndahet nga operatorët furnizues të  nëpërmjet pikave të tyre të shpërndarjes në të gjithë vendin, ku fermerët paraqiten me kartën individuale, në të cilën është hedhur sasia e naftës që ka të drejtë të tërheqë fermeri përkatës.