Mbrëmja e yjeve, kryeministri Rama për Silvinjon: Do ta bëjmë shqiptar!

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Mbrëmjen e Madhe të Yjeve të Sportit 2023, u shpreh se të gjithë sportistët që realizojnë arritje në Shqipëri do marrin shpërblimin e merituar.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se shpërblime të tilla,  janë ndër më të lartat në Europë. Gjithashtu, numri një i qeverisë theksoi se do ketë bashkëpunim të plotë me Federatën Shqiptare të Futbollit, në prag të Europianit.

“Të gjithë sportistët që arrijnë rezultatet, nga ato modeste deri te mëdhatë, shpërblehen dhe përfshihen në një sistem. Të gjithë kampionët kanë një vend të nderuar në Shqipëri.

Shpërblimet për rezultatet dhe arritjet janë një ndër më të lartat në Europë. Vetëm kështu kemi bërë të mundur që të vijnë sportistë edhe nga vende tjera, që të konkurrojnë me flamurin shqiptar. Kjo gjë është bërë në vendet e mëdha-ja.

Ne i kemi dhënë mbështetje edhe FSHF-së për të pasur lehtësi për Europianin. Unë besoj se më e mira është e gjitha përpara dhe besoj se jemi në një proces. Në emër të të gjithëve ju, falenderoj Presidentin e Komitetit Olimpik Europian, i cili na nderon sot me praninë e tij”, tha ai.

Ndërsa i dorëzoi trajnerit të kombëtares, Sylvinjos një çmim nderi nga KOKSH, kryeministri falënderoi edhe presidentin e Komitetit Olimpik Evropian, për praninë e tij.

“Dua të bëj një falenderim presidentit të Komitetit Olimpik Evropian i cili na nderon me praninë e tij.

Rastësia e do që njëri të jetë grek, tjetri italian.

Kështu që grekë, italianë, shqiptarë, jemi në një familje.

Kemi dhe një brazilian, për syrin e keq, por nëse grekun dhe Italian do i lëmë siç janë, brazilianin do ta bëjmë shqiptar, por edhe ai e ka pranuar me kënaqësi që të marrë nënshtetësinë shqiptare.”, tha Rama.