Media amerikane “Quartz” rendit Durrësin destinacionin më të mirë ekonomik për pushime në plazh në Europë


Durrësi është renditur në vendin e parë në listën e tetë destinacioneve më të mira dhe ekonomike për pushime në plazh në Europë, sipas një përzgjedhjeje të publikuar nga media amerikane “Quartz”.

Në renditje, qyteti bregdetar shqiptar vlerësohet për kombinimin e çmimeve të përballueshme, plazheve, trashëgimisë historike dhe mundësive për të eksploruar atraksione të ndryshme në një hapësirë relativisht të vogël.

“Quartz” thekson se gjetja e një destinacioni tërheqës për pushime në plazh nuk është e vështirë, por sfida qëndron në identifikimin e vendeve që ofrojnë njëkohësisht cilësi dhe kosto të përballueshme.

Durrësi, sipas medias amerikane, ndërthur turizmin bregdetar me historinë e shekullit XX dhe trashëgiminë kulturore të Shqipërisë.

Ndër atraksionet e rekomanduara për vizitorët përmendet Vila Mbretërore e Mbretit Zog, pranë së cilës ndodhet edhe një bunker prej betoni, dëshmi e periudhës së Luftës së Ftohtë.

Sipas artikullit, pikërisht kontrasti mes këtyre objekteve historike ofron një pasqyrë të veçantë të ndryshimeve politike dhe historike që ka përjetuar Shqipëria gjatë shekullit XX.

Durrësi vlerësohet gjithashtu për ofertën gastronomike, veçanërisht produktet e freskëta të detit, si dhe për transportin publik që krijon mundësi për të eksploruar destinacione të tjera përgjatë bregdetit me kosto të ulët.

Media amerikane e rendit qytetin shqiptar në krye të listës së saj, duke theksuar se kombinimi i plazheve, historisë, çmimeve të përballueshme dhe transportit të lehtë e bën Durrësin një alternativë të përshtatshme për turistët me buxhet të kufizuar.

Renditja e tetë destinacioneve më të mira dhe ekonomike për pushime në plazh në Europë:

  1. Durrës, Shqipëri
  2. Neum, Bosnjë-Hercegovinë
  3. Larnaka, Qipro
  4. Aberystwyth, Uells
  5. Heraklion, Kretë, Greqi
  6. Kadiz, Spanjë
  7. Liepaja, Letoni
  8. Ulqin, Mali i Zi



Burimi Monitor.al