Sipas një raporti të Bloomberg, Meta po shqyrton një zvogëlim të madh të buxhetit për divizionin e Metaverse, një lëvizje që mund të përfshijë edhe tkurrje të stafit. Burime të brendshme thonë se kompania po konsideron uljen e shpenzimeve për platformat e realitetit virtual me deri në 30%, duke sinjalizuar një ndryshim të qartë strategjie.
Që prej ribrandimit në vitin 2021, Meta ka investuar miliarda dollarë çdo tremujor në Horizon Ëorlds dhe zhvillimin e pajisjeve VR, por këto produkte nuk kanë arritur të tërheqin përdoruesit apo tregun më gjerë. Interesi për Metaverse është zbehur ndjeshëm, duke shtuar presionin e investitorëve që prej kohësh janë skeptikë për këtë drejtim të kompanisë.

Ndryshe nga Metaverse, përpjekjet e Meta në inteligjencë artificiale dhe syze inteligjente kanë pasur rezultate më pozitive. Megjithatë, investitorët vazhdojnë të shqetësohen për ritmin e lartë të shpenzimeve të kompanisë, duke kërkuar fokus më të madh në projekte me kthim të shpejtë.
Lajmi për zvogëlimin e mundshëm të buxhetit u prit mirë nga tregjet: aksionet e Meta-s u rritën pas publikimit të raportit, pasi investitorët e panë si shenjë disipline financiare dhe rikthim te projektet më fitimprurëse. Meta nuk ka dhënë ende komente zyrtare mbi situatën.
Nëse kompania vendos të zbatojë këtë plan, do të përbënte një distancim të qartë nga vizioni i Mark Zuckerberg për Metaverse si e ardhmja e internetit, një vizion që deri më tani ka rezultuar shumë i kushtueshëm dhe me pak përfitime të prekshme.
