Meta prezanton syzet e reja inteligjente pa kamera dhe gjeneratën e 3-të të Meta Ray-Ban


Meta ka prezantuar në Meta Connect 2026 një seri të re syzesh inteligjente, duke zgjeruar ndjeshëm ekosistemin e saj me pajisje që kombinojnë inteligjencën artificiale, audion dhe realitetin virtual. Le t’i shikojmë më në detaje më poshtë:

Ray-Ban Meta Audio

Risia kryesore janë Ray-Ban Meta Audio, syzet e para të kompanisë pa kamera duke u fokusuar te audioja dhe ndihma për personat me vështirësi në dëgjim.

Gjatë fjalimit në Meta Connect, CEO Mark Zuckerberg prezantoi funksionin Hearing Enhancement, i cili synon personat me humbje të lehtë deri në mesatare të dëgjimit. Teknologjia mund t’i kthejë syzet në një aparat dëgjimi pa recetë, duke e zgjeruar përdorimin e pajisjeve përtej funksioneve tradicionale të syzeve inteligjente.

Syzet e reja mund të përdoren për të dëgjuar muzikë, kryer telefonata dhe për t’u lidhur me Muse, asistentin e inteligjencës artificiale të kompanisë. Meta pretendon gjithashtu se ato ofrojnë jetëgjatësinë më të madhe të baterisë krahasuar me syzet e tjera të saj dhe janë syzet Ray-Ban më të holla të prodhuara deri tani.

Modeli do të jetë i disponueshëm në dizajne klasike të Ray-Ban, përfshirë stilin Clubmaster, ndërsa Zuckerberg theksoi se prioriteti është që ato të funksionojnë fillimisht si syze të mira dhe më pas si pajisje teknologjike.

Ray-Ban Meta Gen 3

Në event u prezantuan edhe Ray-Ban Meta Gen 3, me dizajn më të hollë, autonomi më të gjatë të baterisë dhe një buton të personalizueshëm për aktivizimin e shpejtë të Meta AI. Meta i ka bërë më të holla dhe më komode, me deri në 9 orë autonomi, rreth një orë më shumë se Gen 2. Syzet kanë gjithashtu një buton të ri të personalizueshëm, që mund të caktohet për akses të shpejtë te Meta AI ose funksione të tjera.

Kamera mbetet 12 MP, ndërsa regjistrimi i videove arrin 3K Ultra HD. Një sistem i ri me 6 mikrofona redukton më shumë se 90% të zhurmës së ambientit, duke përmirësuar telefonatat dhe komandat zanore. Meta ka njoftuar gjithashtu mbështetje për regjistrim video me Dolby Atmos dhe zë hapësinor 360°.

Gen 3 vjen në tre stile: Aviator, Zena dhe Wayfarer, me 27 kombinime ngjyrash dhe lentesh. Çmimi nis nga 449 dollarë.

Meta VR Glasses

Këtu kemi një koncept shumë më ambicioz. Meta VR Glasses synojnë të sjellin eksperiencën e një headset-i VR në një formë që ngjan me syze, me peshë rreth 100 gramë. Pajisja është planifikuar për pranverën e vitit 2027.

Person reaching for Meta VR Glasses resting on a table.

Syzet përdorin ekrane 5K micro-OLED, me rezolucion 2412 × 2288 pikselë për secilin sy, ndërsa fuqia kompjuterike dhe bateria zhvendosen në një pajisje të jashtme të lidhur me kabllo. Ato mund të shfaqin filma 3D, lojëra dhe sporte live, ndërsa Meta thotë se do të ketë mbi 100 evente sportive imersive çdo vit.

Person wearing Meta VR Glasses uses a virtual keyboard at a wooden cafe table while design, chat and video call windows float in front of them.

Një aspekt shumë interesant është përdorimi për punë: syzet mund të krijojnë disa ekrane virtuale dhe të shndërrojnë një sipërfaqe të zakonshme në tastierë dhe touchpad virtual. Ato janë gjithashtu pajisja e parë VR me certifikim IMAX Enhanced.



Burimi Geekroom.al