Meta zbulon “gabimisht” Project Phoenix, headset-i që synon të rivalizojë Xreal dhe Viture


Vetëm pak ditë përpara eventit Meta Connect, që nis më 23 shtator, janë publikuar imazhe që pretendohet se zbulojnë dizajnin e pajisjes së re të kompanisë, të njohur si “Project Phoenix”. Imazhet, të gjetura në paketën e firmware-it të lenteve të HorizonOS, sugjerojnë se Meta po përgatit një produkt që pozicionohet mes syzeve inteligjente dhe headset-eve tradicionale të realitetit virtual.

Nga pamjet, Project Phoenix ka një kornizë të hollë në formë syzesh, me lente dukshëm më të mëdha se ato të syzeve Ray-Ban Meta, por shumë më kompakte se një headset si Meta Quest 3. Kjo e vendos pajisjen në një kategori të ngjashme me produktet e Xreal dhe Viture, të cilat synojnë të ofrojnë përvojë XR pa përmasat e një headset-i të plotë VR.

Një fotografi nga pjesa e pasme tregon gjithashtu një kabllo që del nga njëra prej pjesëve të veshit. Ajo mund të lidhet me një bateri ose me një pajisje të jashtme për përpunimin e të dhënave. Në pjesët anësore duken edhe kamera të orientuara nga jashtë dhe poshtë, të cilat mund të përdoren për gjurmimin e mjedisit.

Project Phoenix raportohet se është në zhvillim prej kohësh dhe nuk pritet të mbërrijë në treg deri vitin e ardhshëm. Ndërkohë, edhe Google po punon për Project Aura, një palë syze XR me koncept të ngjashëm dhe një pajisje të jashtme për përpunim, të lidhur me kornizën përmes kabllos.



Burimi Geekroom.al