Ministria e Bujqësisë hap tenderin, 45 pika karburanti detyruese për kompanitë e interesuara

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka hapur një tender me vlerë 791.6 mln lekë për blerjen e karburantit për skemën e rimbursimit të fermerëve. Sipas dokumenteve shoqërues, ofertat do të  pranohen deri në datën 11 mars, ndërkohë që operatorët ekonomikë të interesuar do të duhet të kenë minimumi nga një stacion të tregtimit me pakicë të karburanteve, në 45 qytete të vendit.

Ndërkaq, në raport me një vit më parë, fondi limit i vënë në dispozicion është më i lartë, duke qenë se në 2021-in fondi i vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit ishte 650 mln lekë. Sipas skemës së bërë publike nga qeveria, fermerët që punojnë dhe kultivojnë tokën do të përfitojnë një sasi karburanti falas, si konvertim i lehtësimit nga barra fiskale e karburantit për prodhim bujqësor përmes përjashtimit të akcizës, taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit. Vitin e kaluar u hapën edhe aplikimet për t’u pajisur me kartat e naftës, ndërkohë që përfitues mund të ishte çdo fermer që kishte tokë, në pronësi apo me qera dhe që e punonte atë.