Jeta luksoze e Morena Tarakut në Dubai ka marrë një kthesë të papritur gjatë ditës së sotme. Qyteti i njohur për qetësinë dhe qiellgërvishtësit është gjendur nën sulmin e raketave dhe dronëve iranianë, pas zhvillimeve të fundit dhe tensioneve të ashpra mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit. Në mes të kësaj situatë aspak të zakonshme ndodhet edhe artistja shqiptare, e cila ka ndarë me ndjekësit pamje reale nga ajo që po ndodh rreth saj.
Në llogarinë e saj në Instagram, Morena ka publikuar një video ku shihet një shtëllungë e madhe tymi dhe zjarri vetëm pak metra larg vendbanimit të saj, si pasojë e rënies së mbetjeve nga dronët e interceptuar.
Ikona e bukurisë ka shprehur frikën dhe trishtimin e saj përmes një shkrimi të gjatë, duke treguar se teksa sheh raketat që kalojnë sipër kokës si fishekzjarrë, i janë rikthyer menjëherë kujtimet e errëta nga lufta e Kosovës në vitin 1999. Ajo theksoi kontrastin e fortë mes një qyteti modern e të pasur dhe realitetit të ashpër që tregon se jeta mund të ndryshojë në një sekondë dhe gjithçka mund të kthehet në hi.
Situata në Lindjen e Mesme është përshkallëzuar ndjeshëm gjatë orëve të fundit të kësaj të shtune. Pas sulmeve të Izraelit dhe Amerikës brenda territorit iranian, forcat iraniane janë kundërpërgjigjur duke vënë në shënjestër disa baza në rajonin e Gjirit. Emiratet e Bashkuara Arabe kanë aktivizuar mbrojtjen ajrore, por mbetjet e raketave dhe dronëve kanë shkaktuar zjarre dhe dëme në zona të ndryshme në Abu Dhabi dhe Dubai. Për Morenën dhe shqiptarët e tjerë që jetojnë atje, kjo ngjarje ka qenë një rikujtim i hidhur i brishtësisë së jetës përballë konflikteve të tilla. /Prive By Liberta Spahiu.












