Mrekullia e kanioneve të Erzenit

Temperaturat e larta të këtyre ditëve të gushtit na sugjerojnë jo vetëm plazhin si destinacion, por edhe vende të mrekullueshme që të kënaqin syrin me peizazhin dhe freskinë.

Një prej tyre është edhe Kanioni i Erzenit, shumë afër kryeqytetit shqiptar.

Kohët e fundit kanionet në lumin Erzen janë shumë të vizituara, një atraksion i jashtëzakonshëm për turistët. Lumi ndodhet vetëm 20 kilometra larg Tiranës.

Uji i këtij lumi që rrjedh në një terren shkëmbor gjatë shekujve ka krijuar kanione spektakolare. Uji i kristaltë dhe thellësia e kanioneve të krijon mundësi të lahesh apo të notosh. Në pjesën ku lumi ka një thyerje rreth 10 m është krijuar një ujëvarë brenda një guve. Përpara ujëvarës te kanionet ka vaska të cilat në stinën e nxehtë përdoren për tu larë dhe për të bërë banjo dielli.