Shkencëtarët në SHBA kanë zhvilluar muskuj artificialë të fuqizuar nga ajri, që u mundësojnë robotëve të ngrenë pesha 100 herë më të mëdha se pesha e tyre pa përdorur motorë të mëdhenj apo sisteme të jashtme energjie. Studimi, i udhëhequr nga Eric Weissman në Arizona State University, synon të çojë përpara robotikën.
Këta muskuj të rinj, të quajtur HARP (helical anisotropically reinforced polymer), imitojnë tkurrjen dhe zgjerimin e muskujve biologjikë. Ndryshe nga robotët tradicionalë që varen nga motorët dhe janë të rëndë e të ngurtë, këta muskuj janë të lehtë, fleksibël dhe pothuajse të heshtur. Ata kanë formë tubash të mbështjellë si spirale dhe kërkojnë vetëm një sasi të vogël ajri për të funksionuar.

Falë kësaj teknologjie, robotët mund të funksionojnë në kushte ekstreme, si ujë i vluar apo mjedise gërryese, dhe të kapërcejnë pengesa që zakonisht i ndalojnë robotët e zakonshëm. Për më tepër, ata mund të funksionojnë në mënyrë të pavarur, pa nevojë për burime të jashtme energjie, duke mbajtur gjithçka që u nevojitet në trupin e tyre.
Përdorimet e kësaj teknologjie janë të shumta. Në raste fatkeqësish natyrore, robotët mund të lëvizin nëpër rrënoja për të kërkuar të mbijetuar, duke hyrë në hapësira të ngushta pa shkaktuar dëme shtesë. Në shtëpi, ata mund të ndihmojnë të moshuarit me detyra të përditshme. Gjithashtu, mund të përdoren në industri, bujqësi, eksplorim detar dhe edhe në misione hapësinore.

Ekipi ka zhvilluar edhe një krah robotik fleksibël të frymëzuar nga feçka e elefantit dhe një pajisje mbështetëse për shpinën që ndihmon në ngritjen e peshave.










