Muzeu Etnografik në Krujë, destinacioni numër një për vizitorët e huaj

Muzetë e Krujës janë destinacione, ku vizitorë të ndryshëm vazhdojnë të kenë interes edhe gjatë këtij sezoni veror. Edhe gjatë këtij viti vizitorët nuk kanë munguar, ku në muzeun Etnografik kanë qenë më shumë polakë. “Edhe këtë vit, polakët përbëjnë numrin më të madh të vizitorëve të huaj në Muzeu Kombëtar Etnografik të Krujës”, shkruhet te faqja e dy muzeve të Krujës.

Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muzeum është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanëve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764. Banesa është monument kulture i kategorisë së I. Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara.

Në të gjejmë objekte prej qeramike, druri, guri, hekuri, pambuku, mëndafshi, leshi, qëndisma të ndryshme të ekspozuara me finesë. Mosha e këtyre objekteve varion nga 60-70 deri në 500-vjeçare. Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës u përurua më 20 nëntor 1989. Muzeu Etnografik ndodhet në oborrin e fortifikuar të kalasë së Krujës e përreth muzeut, dallohen gjurmët e burimeve ujore apo krojet, të cilët dëshmojnë se emri i qytetit Krujë vjen nga kjo pasuri natyrore. Kruja ka një turizëm gjithëvjetor, pasi është e favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja.

Por me shumë rëndësi dhe me interesin e vizitorëve është dhe Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, që u përurua më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës. Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali, që trajtohet si kullë shqiptare e veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve. Në këtë muze ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavijone trajtohet historia e mesjetës së hershme, principatat shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtuesit.