Aeroporti i Jugut do të ndërtohet në Gjirokastër duke mundësuar rikthimin e fluturimeve në aerodromin me moshë gati njëshekullore të qytetit të gurtë. Ndër projektet prioritate të qeverisë për infrastrukturën në vitin 2024 përfshihet edhe ndërtimi i këtij aeroporti. Konkretizimi i këtij investimi madhor do të mundësojë nxitjen e ekonomisë lokale në rajonin jugor dhe turizmit si sektori prioritar.
“Është një lajm pozitiv dhe i dëshiruar jo thjesht për qytetin e Gjirokastrës, për Qarkun e Gjirokastrës por këtu po flasim për një ofertë të përbashkët turistike midis Sarandës dhe Gjirokastrës, tashmë Saranda është gjysmë ore larg Gjirokastrës dhe me këtë numër në rritje të turistëve që ka pasur në 2023 dhe që presim në 2024 patjetër aeroporti përveçse është një pikë shumë e rëndësishme për zhvillimin e gjithë rajonit të jugut dhe do jetë një vlerë e shtuar më shumë punësim, më shumë zhvillim ekonomik të gjithë kësaj zone dhe sidomos patjetër të qytetarëve dhe bashkisë Gjirokastër”, thotë Flamur Golemi, kryetar i Bashkisë Gjirokastër,
Faktorët lokalë dhe grupet e interesit në Gjirokastër vazhdimisht kanë kërkuar rijetësimin e aerodromit në hyrje të qytetit që ka funksionuar për rreth 80 vite.
“Është një dritare e madhe e cila do ti ndryshojë këtij qyteti formën, pozicionimin dhe jo vetëm kaq por do ta bëjë më të konkurrueshëm, ne kemi biseduar shpesh si forum që jemi edhe me grupet e interesit, njerëz të cilët kanë interes për të ndryshuar edhe mënyrën sesi do të bëhet turizmi sepse ne nuk kemi nevojë tani vetëm për sasi por kemi nevojë dhe për cilësi, pra duke u ulur avionë, duke hapur diçka tjetër këtu nuk do të ketë më turizëm të zakonshëm por do të vijnë turizëm elitar, dhe turizmi elitar veç sasisë sjell edhe cilësinë për të cilën ne kemi nevojë ta dëgjojmë”, shprehet Llambi Margariti, kryetar i Forumit për Rijetësimin e Aerodromit Gjirokastër.
Për gati një shekull aerodromi i Gjirokastrës ka qenë dëshmitar i mjaft ngjarjeve historike, në disa raste me peshë në zhvillimet kombëtare. Madje, nuk kanë munguar edhe veprat letrare të cilat e kanë përfshirë aeroportin e Gjirokastrës në subjektet e tyre letrarë si në rastin e romanit “Kronikë në gur” të shkrimtarit Ismail Kadare.