Ndërtimi nuk ndalet në Tiranë, sipërfaqja e lejeve arrin tjetër rekord në 2021

Ndonëse Tirana është kthyer prej disa vitesh në një kantier ndërtimi, ky proces pritet të vijojë sërish, të paktën në të ardhmen afatmesme.

Të dhënat e publikuara sot nga INSTT për lejet e ndërtimit në vend treguan se sipërfaqja e dhënë për lejet ndërtimi në kryeqytet për gjithë vitin 2021 arriti në 1.65 milionë metra katror, duke shënuar nivelin më të lartë të paktën që nga viti 2010, kur raportohen të dhënat.

Në krahasim me vitin e mëparshëm, sipërfaqja e dhënë për leje është rritur me 47% teksa në vitin 2020 u vu re një frenim i lejeve të dhëna për shkak të kufizimeve të krijuara nga pandemia.

Në raport me vitin 2019, kur ishte shënuar rekordi i ri i dekadës së fundit, sipërfaqja e lejeve është rritur me 17%. Ndërsa në raport me 2015-n, viti kur u dhanë më pak leje, sipërfaqja është 7.4 fishuar. Pas 2015-n, Bashkia është treguar “dorëlëshuar” me ndërtuesit, siç duhet dhe në grafikun: “Sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi në Tiranë (m2), 2010-2021”.

Sipërfaqja e dhënë në Tiranë për vitin 2021 është sa 71% e totalit të dhënë për gjithë Shqipërinë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë sipërfaqen totale të lejeve të dhëna për ndërtim, ndërsa mbi 70% e saj është për banesa. Në 2021 treguesi është ndikuar dhe nga rindërtimi pas tërmetit.

Sipas INSTAT, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike në kryeqytet është rreth 470 milionë euro. Një vit më parë, kjo vlerë ishte 327 milionë euro.