Ndërtimi, sërish në lulëzim; Apartamentet, rritja e çmimeve do të vijojë edhe në 2022

Tirana tashmë është kthyer në një kantier ndërtimi dhe aktiviteti i ndërtuesve parashikohet që edhe këtë vit të jetë i garantuar. Ndërtuesit pohojnë se në vitin 2021, për shumicën e kantiereve të reja të ndërtimit, përfundoi deri në 10% të volumit të punës. Vijimi i punimeve për këtë vit në këto subjekte do të shtojë aktivitetin e sektorit.

Shoqata e Ndërtuesve thotë se vazhdimi i projekteve për programet e rindërtimit do të jetë një tjetër arsye që do të ndikojë në shtimin e volumit të punës. Zgjerimi i sektorit të ndërtimit pritet të japë efekte pozitive edhe në zinxhirin e nënsektorëve të tjerë. Rritje të volumit të kontratave këtë vit konfirmohet edhe nga studiot arkitekturore për arredimin e shtëpive.

Administratorja e kompanisë “GBarchs Architects”, Gladiola Balliu, pohoi për “Monitor” se kërkesa parashikohet në rritje për arredimin e shtëpive, kryesisht të vilave që po ndërtohen në zonat bregdetare, më shumë në Vlorë dhe në rrethe nga emigrantët.

 

Apartamentet, rritja e çmimeve do të vijojë edhe në 2022

Rritja e çmimeve të apartamenteve do të vijojë edhe për vitin 2022. Në vitin 2021, brenda vijës së verdhë të ndërtimit në kryeqytet, nuk gjeje çmime nën 1,000 euro/m². Ndërtuesi Hajredin Fratari pohoi për “Monitor” se në 2022, çmimet e apartamenteve do të rriten 5% për shkak të shtimit të kostove të ndërtimit nga shtrenjtimi i materialeve, tokës, mungesës së punëtorëve të cilët kanë emigruar jashtë Shqipërisë.

“Zhvillimi i lejeve të reja në Tiranë, për shumicën e ndërtimeve, rezulton të ketë përfunduar 10% e objektit. Vijimi i zhvillimit të lejes ndërtimore do të garantojë punën edhe për 2-3 vitet e ardhshme për sektorin e ndërtimit. Pavarësisht se oferta do të rritet, çmimet nuk do të shënojnë rënie.

Për 2022, pritet që çmimet të rriten 5%, për shkak të shtrenjtimit të materialeve të ndërtimit. Një ndërtues për blerjen e 1 ton hekuri, para 10 vjetësh paguante 400 euro, ndërsa sot paguan 850 euro. Për sektorin do të vijojë të mbetet problem edhe mungesa e punëtorëve të ndërtimit, pasi shumica e tyre po emigrojnë në Itali dhe Gjermani.

Një specialist i mesëm ndërtimi, preferon më tepër të punojë në Europë për 3 muaj me pagë 1,200 euro/muaj sesa në Shqipëri. Punësimet sezonale do të vijojnë të rriten edhe në 2022. Kjo do të rrisë kostot për ndërtuesit, pasi punëtorët që disponon do t’i paguajnë me paga më të larta”.

Jonian Antoni, CEO i “Century 21 Albania” dhe anëtar bordi i Shoqatës Kombëtare të Ndërmjetësuesve (NAREA) thotë se, edhe këtë vit, do të vijohet me rritje të shëndetshme të çmimeve 2 deri në 4%. “Është shumë e vështirë të parashikosh tregjet. Nëse do të ishim aq të bindur, do të investonim dhe do të fitonim nga investimet. Ajo çka mund të themi është se si në Tiranë dhe në zonat bregdetare parashikojmë rritje çmimesh nga 3-5% çdo vit për 4-5 vitet e ardhshme.

Arsyeja e rritjes është inflacioni, që shoqërohet me rritje të pagave dhe rrjedhimisht, rritje të mundësive për të blerë. Çmimet e pronave rriten çdo vit. Duhet të ketë ndonjë krizë botërore, që të shikojmë rënie të dukshme të çmimeve të tyre. E parë nga këndvështrimi profesional, në përgjithësi, Shqipëria ka pasur rritje të shëndetshme të pronave në nivelet e inflacionit dhe rritjes ekonomike nga 2 deri në 4%”.

Në Tiranë, çmimet e apartamenteve për periudhën nga 2015 deri në 2021 brenda Unazës së Vogël dhe në zonën e ish-Bllokut janë rritur 20% sipas Jonian Antoni, CEO të “Century 21 Albania”. Rritja është e strukturuar, pohon ai, pasi ka ndodhur gradualisht çdo vit në përputhje me inflacionin dhe rritjen ekonomike.