Ndërtimi “shpëtoi” kredinë për biznesin gjatë vitit 2021

Kredia e re për biznesin vitin e kaluar ishte në nivele lehtësisht më të ulëta krahasuar me vitin 2020, të paktën deri në fund të nëntorit.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, bankat për 11-mujorin 2021 disbursuan 145.8 miliardë lekë kredi, 1.9% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Po të shohim ecurinë e kredisë së re sipas sektorëve që kanë kontributin kryesor në huamarrje, ajo që bie në sy është rënia e ndjeshme në shumicën e tyre, ku përjashtim bëjnë kryesisht ndërtimi dhe aktiviteti i informacionit dhe komunikimit.

Ndikimin kryesor në frenimin e rënies së kredisë për bizneset vitin e kaluar e ka dhënë sektori i ndërtimit. Për 11-muaj, kredia e re për ndërtimin në 29.2 miliardë lekë, në rritje me 11 miliardë lekë ose 60% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në vlerë, ndërtimi ka shënuar dukshëm rritjen më të lartë të kredisë së re për vitin e kaluar.

Prej vitit të kaluar, kredia për ndërtimin po përjeton një fazë të re rritjeje, me ritme që nuk shënoheshin që prej fazës së parë të lulëzimit të këtij sektori, që zgjati deri në fund të dekadës së parë të vitit 2000.

Së fundmi, tregu ka nisur një cikël të ri rritjeje, i nxitur nga zhvillimet pozitive në sektorin e pasurive të paluajtshme, sidomos në kryeqytet dhe bregdet. Rritja e çmimeve po inkurajon jo vetëm sipërmarrësit, por po nxit edhe më shumë bankat t’i mbështesin këto projekte.

Sektor tjetër që ka dhënë një kontribut domethënës me rritjen e kredisë së re ka qenë ai i informacionit dhe komunikimit, ku kredia e re vitin e kaluar u rrit me 3 miliardë lekë. Rritja në këtë sektor u mbështet kryesisht nga pak kredi në vlera të mëdha të operatorëve të komunikimeve celulare. Duke qenë se ky sektor zakonisht gjeneron vlera më të vogla të kredisë, në përqindje rritja është mjaft e lartë, me 174% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Sektorët e tjerë me peshë në kreditimin e ekonomisë deri në fund të muajit nëntor shfaqën një ecuri të dukshme në rënie.

Sektori me peshën kryesore në kreditim, tregtia, për 11-mujorin përfitoi kredi të re në vlerën e 550.6 miliardë lekëve, në rënie me 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në industrinë përpunuese, kredia e re zbriti në 16.7 miliardë lekë, 9.4% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Rënia shënoi edhe industria nxjerrëse, ku kredia e re zbriti në 3.2 miliardë lekë, me një rënie prej 21.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rënia e dukshme e kredisë së re u shënua edhe në sektorin energjetik. Vlera e huave të reja për 11-mujorin ra në 6.1 miliardë lekë, 26.3% më pak krahasuar me një vit më parë. Rënie dyshifrore të kreditimit pësoi edhe sektori i transportit dhe magazinimit, me 51% më pak dhe ai i hoteleve e restoranteve, me 19.1%.