Ndryshimi ligjor/ Rriten gjobat për bizneset që deklarojnë të dhëna të pavarteta apo nuk kryejnë detyrimin për regjistrim në afat

Deklarimi i të dhënave të pavërteta si dhe moskryerja e detyrimit për regjistrimin fillestar brenda afateve do të shoqërohet nga penalitete për bizneset dhe Organizatata Jofitimoprurëse (OJF). Një projektligj i depozituar në Kuvend parashikon një penalitet prej 60 mijë lekësh për këto shkelje.

Qëllimi i këtij projektligji është adresimi i rekomandimeve të “Financial Action Task Force” (FATF) në raportin e progresit për Shqipërinë në tetor 2021, konkretisht të masës 5.3, sipas së cilës: “3. Shqipëria duhet të sigurojë një kuadër ligjor të përshtatshëm për shkeljet e detyrimeve të regjistrimit për entitetet ligjore dhe OJF-të dhe të zbatojë sanksione më proporcionale dhe bindëse, të cilat marrin parasysh treguesin e paritetit të fuqisë blerëse.” Për adresimin e këtij rekomandimi, grupi i pavarur i FATF-së rekomandon se vendi ynë duhet të avancojë me ndryshimet ligjore në ligjin e vitit 2007 “Për regjistrimin e biznesit”, i ndryshuar, në mënyrë që sanksionet administrative të jenë më bindëse.

Ligji aktual në fuqi parashikon aplikimin e gjobave, në rast të mospërmbushjes brenda afateve ligjore të detyrimit ligjor për kryerjen e regjistrimeve përkatëse në regjistrin tregtar dhe mosdeklarimeve reale, të cilat nga ana e “International Co-operation Review Group (ICRG)’s Financial Action Task Force” (ICRG/FATF) janë konsideruar të ulëta dhe nuk janë në raport të drejtë me treguesin e paritetin e fuqisë blerëse të vendit, pasi në vitin 2007 PBB për frymë në PPP (Power Purchase Parity) ishte në vlerën 9151 USD, ndërsa në 2020 është 13 817.8 USD” shkruhet në relacion e projektligjit.

Në këtë kontekst, vlera e gjobës bëhet 60 000 lekë për deklarimin në regjistër të të dhënave të pavërteta si edhe në pikën 3, vlera e gjobës bëhet 60 000 lekë për moskryerjen e detyrimit për regjistrimin fillestar brenda afateve të parashikuara nga ky ligj