Ndryshon sërish çmimi i naftës, rritet në 215 lekë për litër


Çmimi i naftës në tregun me pakicë në Shqipëri ka pësuar një tjetër rritje, duke arritur në 215 lekë për litër.

Sipas vëzhgimeve të fundit në pikat e shitjes së karburanteve, nafta është shtrenjtuar nga 199 lekë në 215 lekë për litër, duke shënuar një rritje prej 16 lekësh dhe duke u rikthyer në nivele më të larta pas uljeve të regjistruara më herët.

Kjo lëvizje vjen në një periudhë kur tregjet ndërkombëtare të naftës po përballen me luhatje të ndjeshme të çmimeve. Ndryshimet në bursat ndërkombëtare janë reflektuar edhe në tregun vendas, duke sjellë lëvizje të njëpasnjëshme të çmimeve të karburanteve.

Gjatë periudhës mars-qershor, në kushtet e luhatjeve të forta të çmimeve, në Shqipëri funksionoi Bordi i Transparencës, i cili përcaktonte çmimet maksimale të shitjes për karburantet.

Rritja e fundit pritet të ndihet drejtpërdrejt në kostot e transportit dhe shpenzimet e qytetarëve për përdorimin e automjeteve.



Burimi Monitor.al