Qeveria ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin “Për taksën mbi pasurinë e paluajtshme”, që synon të mbledhë më shumë të ardhura për buxhetin e shtetit. Kjo taksë do të llogaritet duke shumëzuar vlerën e taksueshme të pasurisë së paluajtshme me shkallën e zbatueshme të taksës. Por, sa do të jetë kjo taksë?
Në dokument shpjegohet se për të gjithë njësitë e ndërtesave, që përfshihen në kategorinë e pronave rezidenciale, shkalla e taksës mund të variojë nga 0,1% deri në 0,2%, ndërsa për të gjithë njësitë e ndërtesave, që përfshihen në kategorinë e pronave bujqësore apo blegtorale, shkalla e taksës mund të variojë nga 0,15% deri në 0,25%.
Për të gjithë njësitë e ndërtesave, që përfshihen në kategorinë e pronave tregtare, shkalla e taksës mund të variojë nga 0,15% deri 0,25% dhe po në këtë nivel edhe për të gjithë njësitë e ndërtesave, që përfshihen në kategorinë e pronave industriale.
Për te gjitha parcelat, që përfshihen në kategorinë e pronave bujqësore apo blegtorale, shkalla e taksës mund të variojë nga 0,1% deri 0,3% dhe po në të njëjtat nivele edhe për të gjitha parcelat, që përfshihen në kategorinë e pronave pyjore, si dhe për ato parcela, që përfshihen në kategorinë e pronave rezidenciale.
Baza e taksës për ndërtesën është vlera e njësisë së ndërtesës, që llogaritet në përputhje me metodologjinë dhe procedurat e përcaktuara ne vendimin e Këshillit të Ministrave.
Shkalla e taksës mbi ndërtesën, e cila aplikohet si perqindje e bazës se taksës, është 0,05% për njësinë e ndërtesës që përdoret për banim, 0,2% për njësinë e ndërtesës që përdoret për veprimtari ekonomike dhe 30% e shkallës së taksës përkatëse për të gjithë sipërfaqen ndërtimore, për të cilën zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi dhe nuk ka arritur ta përfundoj atë sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi.